16 korrik 2015 – Nëntë kg heroinë janë sekuestruar dje në Portin e Durrësit dhe dy persona janë arrestuar në flagrancë si posedues të lëndës narkotike.

Policia e Durrësit njofton se gjatë imbarkimit të tragetit “Bari” të linjës Durrës-Bari, gjatë  kontrollit të ushtruar nga Policia  Kufitare dhe Specialistët e Antidrogës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-Aleks Gjergji, 39 vjeç,banues në Lushnjë,

-Luan Veçani, 59 vjeç,banues në Lushnjë.

Gjergji do të udhëtonte për në Itali me një automjet tip ‘Ford Focus’, në kroskotin e të cilës kishte vendosur drogën. Blutë e Durrësit sqarojnë se pasi u përzgjodh për kontroll në vijën e dytë, specialistët e Antidrogës zbuluan në kroskot 17 pako të mbështjella me qese celofoni, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit heroinë me peshë rreth 9 kg.

Më pas, nga veprimet hetimore, rezultoi se edhe shtetasi tjetër Luan Veçani ishte gjithashtu i implikuar dhe për këtë iu vunë prangat. Ai ishte pronari i automjetit, i cili ndodhej edhe në makinë gjatë kontrollit. 

Nga operacioni i koduar “Imbarkimi”, i realizuar me sukses nga Seksioni për Narkotikët në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës në bashkëpunim me Policinë Kufitare u sekuestruan:

• 17 pako lëndë narkotike e llojit heroinë me peshë rreth 9 kg;

• automjeti tip 'Ford Focus' me targa 'AA 536 LH';

• rreth 1000 €;

• 3 telefona celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/