DURRËS, 26 gusht 2013 – Për tri ditë radhas, të premten, të shtunën dhe të dielën, forcat ligj-zbatuese të Durrësit kanë ndaluar tre shtetas kosovarë që synonin të shkonin në Itali nëpërmjet portit të Durrësit duke përdorur dokumente të rreme. Madje, njëri ishte skeduar para më shumë se 5 vjetësh.
Pas 5 vjetësh
Forcat e rendit nuk e kanë harruar një kosovar që ishte dënuar në mungesë qysh në shkurt 2008. Drejtoria e Policisë së shtetit për qarkun e Durrësit bën të ditur se të premten, më 23 gusht 2013, ora 16.00, u ndalua A. Q., 32 vjeç, me banim në Deçan të Republikës së Kosovës. Uniformat blu thonë se gjykata e rrethit gjyqësor të Durrësit, me vendim penal datë 13 shkurt 2008 e ka dënuar me 3 muaj e 6 ditë burgim për veprën penale “falsifikim i vulave, stampave apo formularëve”, vepër për të cilën është shpallur në kërkim më 11 mars 2008.
Me vizë portugeze
Të shtunën, më 24 gusht 2013, ora 15:35 u ndalua në flagrancë D. J., 32 vjeç, banues në Radivec të komunës së Vitisë (Gjilan) në Republikës e Kosovës. Rreth orës 13:30, u kap në dalje të territorit të RSH nga shërbimet e policisë kufitare tëe Durrësit, duke u orvatur të shkonte në Itali me një pasaportë kosovare, në faqen 15 të së cilës kishte një vizë portugeze, që dyshohet të jetë e rreme. Mbi kosovarin rëndon akuza e falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave, gjë për të cilën do të përgjigjet para prokurorisë së shtetit amë në Durrës.
Me dokumente sllovene
Të dielën, më 25 gusht 2013, ora 22:30, u arrestua në flagrancë E. A., 23 vjeç, më banim në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Rreth orës 21:00, u kap nga kufitarët në terminalin e trageteve të portit, duke u orvatur të udhëtojë në mënyrë të kundërligjshme në drejtim të Italisë me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari. Ai kishte një pasaportë dhe një leje qëndrimi sllovene në emër të tij, të cilat dyshohet të jenë tërësisht të falsifikuara. Uniformat blu sekuestruan si provë materiale dy dokumentet. Para prokurorisë së rrethit gjyqësor të Durrësit duhet të përgjigjet për veprat penale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave si dhe të falsifikimit të dokumenteve.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





