Dy fierakë vodhën në autobus një shtetase amerikane, kurse një tiranas i mori paret e rrugës një plaku të azilit të Kavajës
DURRËS, 21 dhjetor 2013 – Dy persona kanë ardhur nga Fieri për të vjedhur një vajzë me pasaportë amerikane, por kapen nga blutë e Durrësit menjëherë.
Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se ka arrestuar Ruzhdi Xh., 57 vjeç, me banim në Fier, i dënuar edhe më parë për vjedhje dhe Erion S., 32 vjeç, me banim në Patos. Ata u kapën nga patrulla brenda një kohe rekord nga momenti i njoftimit nga e një e dëmtuar, një 18-vjeçare, me banim në SHBA, e cila udhëtonte me autobusin e linjës Durrës-Plepa. Rreth 200 m larg Urës së Dajlanit konstatoi mungesën e portofolit dhe të disa dokumenteve në çantë. Blutë i ndaluan në afërsi të Urës së Dajlanit të dy personat, të cilëve iu gjet me vete dhe u sekuestrua edhe portofoli me shumën prej 161 dollarë e 30 mijë lekë. Po ashtu u arrestua Fatmir H., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili pasi e shoqëroi me pretendim për ta ndihmuar, në afërsi të “Galaktic Center”, i mori nga portofoli shumën prej 50 mije leke një të moshuari, i cili donte të udhëtonte drejt shtëpisë së të moshuarve Kavajë, ku edhe banonte.
/agjencia lajmeve “Dyrrah”/





