DURRES, 05 mars 2013 – Brenda 2 ditësh bllokohet një tjetër sasi droge në portin e Durrësit. Ashtu si në rastin e kamionit me targa maqedonase që u ndalua mbrëmjen e së shtunës me 835 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa edhe sasia e bllokuar mbrëmjen e sotme u gjet, ndërsa automjeti ku ajo ishte fshehur po tentonte të kalonte vijën e dytë të kontrollit në portin e Durrësit.
Lënda narkotike me peshë 17 kg e 396 gramë ishte fshehur në një automjet tip Ford Fokus me targa AA528 FP në pronësi të shtetasit Armand Stafa.
Nga forcat e policisë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 pako lëndë narkotike e dyshuar si Kanabis Sativa.
U kryen veprimet e para hetimore lidhur me rastin. Po punohet për identifikimin e rrethanave apo personave të tjerë të implikuar në trafikimin e lëndës narkotike që do të imbarkohej në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari.
Efektivët e rendit kanë ndaluar drejtuesin Armand Stafa, 26 vjec, banues në Berxull Tiranë dhe pasagjerin e mjetit të bllokuar Algert Doku, 24 vjec, banues në Rinas Krujë.
Materialet iu përcollën Prokurorisë Rrethit Durrës për veprën penale “Trafikim i narkotikëve në bashkëpunim”.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





