Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Autorësia”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, i dyshuar për kanosje me armë zjarri.
Sipas uniformave blu, rreth mesnatës së datës 16 tetor 2025, në fshatin Fllakë, një shtetas është kanosur me armë zjarri nga autori i dyshuar, për motive të dobëta. Pas administrimit të shpejtë të informacionit për vendndodhjen e tij, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e 31-vjeçarit G. G., banues në Tiranë, person me precedent penal.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendim të datës 1 nëntor 2025, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.





