Shtatë balerina janë shoqëruar gjatë natës në policinë e Durrësit, mes të cilave njëra rezultoi se ishte e mitur.
Burime nga policia bëjnë me dije se balerina e mitur punonte në një lokal në zonën e Plazhit.
Shkak për shoqërimin e këtyre vajzave janë bërë kontrollet e uniformave blu në lokalet më të frekuentuara të qytetit të Durrësit dhe Shijakut, me qëllim për të kapur personat e shpallur në kërkim, armë dhe drogë.
Sipas policisë, gjatë gjithë natës, duke filluar nga orët e mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, u janë ushtruar kontrolle të imtësishme të gjithë personave frekuentues në këto lokale, duke çuar në total 16 numrin e të shoqëruarve në ambientet e Komisariatit të Policisë.
Mes tyre, mësohet se është shoqëruar edhe pronari i lokalit ku u kap balerina e mitur, dhe ndërkohë po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave.
Policia e Durrësit bën me dije se kontrolle të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe kërkon mbështetjen dhe bashkëpunimin e qytetarëve, me qëllim parandalimin e fenomeneve të jashtëligjshme duke siguruar një jetë më të sigurt.
S.L.





