DURRËS, 2 mars 2015 –Drejtoria e policisë së qarkut njofton se të dielën, më 1 mars 2015, ora 15.00, komisariati i Shijakut finalizoi operacionin “Në fillim të pranverës”, ku u arrestuan 4 autorë të 5 vjedhjeve në dyqan / market / supermarket në Sukth, Manëz dhe Maminas: dy 32-vjeçarët Mikel (Miklovan) Beqja nga Manza dhe Ramazan Brihmani nga Sukthi; si dhe dy adoleshentët nga Sukthi: 16-vjeçari A. S. dhe 17-vjeçari A. B..

KONTROLLI

Policia shpjegon se të dielën, më 1 mars 2015, ditën e parë të stinës “zyrtare” të pranverës, rreth orës 1.50 pas mesit të natës, në vendin e quajtur Kthesa e Ariut, në Kullë të bashkisë së Sukthit, policia ushtroi kontroll ndaj adoleshentëve A. S. dhe A. B. dhe 32-vjeçarit Ramazan Brihmani. Treshes iu gjetën thika, doreza përforcuese mbrojtëse metalike, kapuça të zinj në formë maske, dalta, leva, pinca, të cilat shërbenin për vjedhje. Në banesën e A. S. u zbulua lidhje e paligjshme e korrenti, kurse në shtëpinë e Mikel Beqjes u gjet dhe sekuestrua 1 rrënjë kanabis.

JA SE KUR E KU

Gjatë hetimit u bë e mundur dhe zbardhja e emrave të autorëve të 5 vjedhjeve, që doli se ishin kryer prej tyre në bashkëpunim me njëri tjetrin: më 9 janar 2015 marketin në Manëz e H. S.; më 31 janar 2015, në lagjen nr. 3, Sukth, dyqanin e A. T.; më 17 shkurt 2015, në lagjen nr. 4, Sukth marketin e G. H.; më 18 shkurt 2015, në lagjen nr. 6, Sukth dyqanin ushqimor e F. L.; më 27 shkurt 2015, në Maminas, supermarketin e Sh. O..

SEKUESTRIMET

U sekuestruan elektrikë dore, 9 copë kufje telefoni, 12 telefona celularë, 13 bateri telefoni dhe aksesorë të ndryshëm telefoni, 2 kaçavida, 12 fishekzjarrë, 1 dorezë grushti metalike, pinca, 1 fishek 9 m/m, 1 laptop i markës ACER, 1 pompë uji, 1 valixhe plastike, 1 video-kamerë, 1 thikë, 1 kapuç i zi në formë maske (në foto).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/