DURRES– Në harkun kohor të 24 orëve regjistrohet rasti i dytë, kur persona të ndryshëm tentojnë të kalojnë në drejtim të vendit fqinjë Itali, sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Në orët e para të mëngjesit të së hënës është arrestuar në flagrancë shtetasi Ylli Rapi, 35 vjeç, banues në fshatin Hormovë, Tepelenë.

Shtetasi në fjalë është ndaluar pasi, rreth orës 21.00 të ditës së dielë, në automjetin e tij tip Benz me targa AA247FN u gjetën 11 pako të mbështjella me natriban të bardhë. Efektivët e policisë kufitare ishin duke ushtruar kontroll në automjetin e tij, kur kanë konstatuar sasinë e lëndës narkotike të llojit kanabis sativa.

Sipas policisë sasia e drogës së kapur është 6 kg dhe po tentohej të kalohej për në shtetin fqinjë nga shtetasi Ylli Rapi. Policia e Durrësit bën të ditur se ndaj 35 vjeçarit Rapi nisi procedimi penal për akuzën “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”.

Arrestimi i Rapit erdhi vetëm pak orë, pasi policia e Durrësit kishte zbuluar një rast tjetër, kur 56,5 kg kanabis sativa po tentoheshin të imbarkoheshin në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari në bordin e një autobuzi. Në këtë rast policia arrestoi në flagrancë 30 vjeçarin Elvir Haxhia, banues në Shkodër, ndërkohë që shpalli në kërkim edhe dy shtetas të tjerë.