Durrës, 15 korrik 2014 – Operacioni i koduar policor “Profesionisti”, i kryer nga Sektori për Trafiqet dhe Narkotikët në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda ka prangosur 3 persona që trafikonin mina me celular nga Mali i zi në drejtim të Shqipërisë dhe Greqisë.

Në përfundim të këtij aksioni u arrestuan në flagrancë tre organizatorët e këtij trafiku:

1-Kleo Gjinkola, 22 vjeç, lindur dhe banues në Shëngjin, Lezhë, me detyrë ushtar profesionist me pagesë pranë repartit ushtarak 1010, Vau i Dejës, Shkodër.

2-Alban Dodaj, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Laim i Ri, Lezhë, me detyrë ushtar profesionist me pagesë pranë repartit ushtarak 1010, Vau i Dejës, Shkodër.

3-Fran Kola, 25 vjeç, lindur dhe banues në Balldre, Lezhë, me detyrë ushtar profesionist pranë repartit ushtarak 1010, Vau i Dejës, Shkodër.

Gjatë operacionit u sekuestruan 7 mina të telekomanduara me anë të telefonave celularë, që përbëheshin nga 7 eksplozivë të llojit C4; 7 telefona celularë të lidhura me eksplozivët me material sinjal përcjellës dhe 7 mekanizma shpërthyes detonator.

Hetimet mbi këtë grup kriminal kanë nisur tre muaj më parë, pasi policia e Durresit u sinjalizua mbi një linjë të trafikimit të minave me celular nga Mali i Zi në drejtim të Shqipërisë dhe Greqisë.

Sipas hetuesve, secili nga të ndaluarit kishte rol kyç në këtë trafik, që nga sigurimi i lëndës plasëse C4 në Mal të Zi, e deri tek montimi i tyre me aparatet telefonike celulare dhe më tej tregtimin e tyre si brenda vendit, por edhe drejt shtetit grek. Nga hetimet rezultoi se këta shtetas kishin arritur të tregtonin mina me telekomandë me një çmim që varionte nga 1800 deri ne 2500 euro.

Tre ushtarët profesionistë akuzohen për veprën penale “Trafikim i lëndëve plasëse, djegëse helmuese dhe radioaktive”, vepër kjo e kryer në bashkëpunim. Tre të ndaluarit rrezikojnë deri në 20 vite burg.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/