DURRËS, 5 dhjetor 2013 – Kapet pas 5 vjetësh që ishte shpallur në kërkim pasi i kishin mbetur për të bërë edhe 2 vjet e ca burg nga 12 gjithsej për një krim të vitit 2000. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 4 dhjetor 2013, ora 18.00, u bë ndalimi i shtetasit në kërkim Arben Hako, 46 vjeç, me banim në Durrës. Gjykata e rrethit gjyqësor Durrës, me vendim të datës 24 korrik 2001 e ka dënuar me 12 vjet burgim për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim. U shpall në kërkim më 30 maj 2008, dhe rezulton se i ka mbetur ende për të vuajtur edhe 2 vjet e 27 dite burgim. Në vitin 2000, në bashkëpunim edhe me dy kunetërit e tij (vëllezërit e bashkëshortes), kanë tentuar të vrasin një shtetase duke e qëlluar me armë zjarri.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





