Durrës, 29 korrik 2014 – Fundi i muajit korrik dhe muaji gusht përkojnë me periudhën më të ngarkuar në portin e Durrësit përsa i përket transportit të udhëtarëve. Për shkak të periudhës së pushimeve, në këto dy muaj numri i udhëtarëve në hyrje dhe dalje në këtë pikë kufitare rritet ndjeshëm.
Për këtë arsye edhe puna e policisë kufitare përqendrohet më tepër në evidentimin e elementëve kriminalë që duke shfrytëzuar fluksin e pasagjerëve tentojnë të hyjnë ose të dalin nga Shqipëria.
Vetëm gjatë të dielës dhe të hënës, janë ndaluar në port dhe në qytetin bregdetar 5 shtetas të shpallur në kërkim, nga të cilët njëri ishte në kërkim ndërkombëtar.
Shërbimet e Policisë Kufitare në portin e Durrësit kanë arrestuar shtetasin Agron Trolli, 33 vjeç, nga Kosova, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në datë 28.02.2014 nga autoritetet e UNMIK Kosovë për veprën penale të “Pastrimit të parave”.
Krahas Trollit, Policia Kufitare ka ndaluar 19 vjeçaren nga Lushnja O.Z., e cila po tentonte të imbarkohej në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari. Adoleshentja ishte shpallur në kërkim prej disa muaj, pasi ishte larguar nga shtëpia. Ishte pikërisht vëllai i 19 vjeçares që denoncoi largimin nga shtëpia të motrës së tij në datë 19.02.2014.
Në prangat e policisë kanë përfunduar edhe shtetasit Ilirjan Thanasi, 28 vjeç, nga Fushë Kruja, i shpallur në kërkim për veprën penale “Moskallëzim krimi”; Vladimir Skordha, 33 vjeç, nga Durrësi, i dënuar në mungesë me 1 muaj e 15 ditë burg për veprën penale ”Vjedhje e energjisë elektrike”; si dhe Ervis Demiri, 24 vjeç, banues në Burrel, i cili 5 ditë më parë kishte tentuar të vidhte me dhunë në plazh automjetin me targa DR 1406 F, në pronësi të shtetasit A.Gj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





