DURRËS, 27 janar 2014 –Kriza siriane po sjell emigrantë, që kërkojnë të shkojnë në Evropën Perëndimore, duke shfrytëzuar qëndrimin në Bullgari e prej këtej në Durrës në drejtim të Apenineve. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 26 janar 2014 u kryen veprimet e para hetimore në gjendje të lirë në ngarkim të arabit Y. M., 27 vjeç, banues në Damask, me shtetësi siriane. Më 25 janar 2014, rreth orës 22.00, u kap nga policia kufitare në terminalin e udhëtarëve të portit të Durrësit teksa po orvatej të udhëtonte në drejtim të Italisë me tragetin e linjës Durrës-Bari. Siriani paraqiti një kartë bullgare identiteti, duke shfrytëzuar ngjashmërinë në fizionomi me një ballkanas. Personi u shoqërua në qendrën e mbyllur për të huajt në Karreç të komunës Maminas.
Info
Në periudhën 20-23 janar 2014 një delegacion i komisionit të lirive civile, drejtësisë dhe punët e brendshme i Parlamentit Evropian vizitoi disa kampe refugjatësh sirianë në Bullgari për t’u njohur me kushtet e jetesës atje, njofton Radio Bullgaria. Bullgaria, e cila është një prej vendeve që janë më të prekura nga fluksi i refugjatëve nga Siria, nuk duhet të mbetet e vetme në përballimin e këtij problemi të madh, janë të mendimit deputetët evropianë. Solidarësia me njerëzit që vuajnë është një vlerë kryesore evropiane, – vuri në dukje zoti Engel, eurodeputet nga Luksemburgu. Eurodeputeti theksoi se pothuaj të gjitha shtetet në kufirin jugor të komunitetit ndodhen në të njëjtën situatë, në të cilën është dhe Bullgaria. Mirëpo tani për tani vendi ballkanik ka marrë më pak mjete financiare. Situata në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë i jep arsye Frank Engelit për të parashikuar se problemet lidhur me fluksin e emigrantëve drejt Evropës do të vazhdojnë shumë kohë. Ka të ngjarë që fluksi i refugjatëve të rritet me ardhjen e pranverës, mendon zoti Engel. Sipas fjalëve të zotit Engel, njerëzit që vijnë nga Siria, duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare, janë një sfidë për tërë Bashkimin Evropian. Sipas të dhënave të fundit, 700 000 sirianë ndodhen në territorin turk, kaq janë edhe imigrantët në Liban.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





