DURRËS, 2 tetor 2013 – Me sa duket, një çun Shijaku nuk ishte informuar se një ditë më parë forcat e kufirit kishin kapur italian me drogë, kështu 28-vjeçari shqiptar ishte “bukë e djathë” për organet e rendit në Durrës për kanabisin që kishte fshehur në veturë drejt Apenineve. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se më 2 tetor 2013, ora 3.00 e mëngjesit, u arrestua në flagrancë E. G, 28 vjeç, me banim në Shijak. Katër orë më parë, 23.00 të datës 1 tetor 2013, në pikën e kalimit kufitar në terminalin e udhëtarëve të portit të Durrësit, gjatë kontrollit në automjetin e këtij shtetasi Opel Zafira me targa AA477 EJ, uniformat blu gjetën e bllokuan si provë materiale 12 kg e 700 gramë kanabis. Lënda narkotike u gjet e fshehur në pjesën e brendshme të bombolës së gazit, e ndarë në 25 pako te mbështjella me natriban. U bllokuan edhe 2 celularë dhe 565 euro, që E. G. kishte me vete. Hetimet do t’i bëjë Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/