DURRËS, 30 gusht 2013 – Nuk reshtin përpjekjet e korrierëve të drogës, që synojnë të shfrytëzojnë portin më të madh të vendit për të transportuar lëndë narkotike në drejtim të “Çizmes”, sidomos duke shfrytëzuar pikun e largimit të udhëtarëve. Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut të Durrësit njofton se në orën 1,30 pas mesit të natës të 30 gushtit 2013 u arrestua në flagrancë P. K, 43 vjeç, banues në fshatin Kulnikaj Reç të rrethit të Malësisë së Madhe, qarku i Shkodrës. Këtij shtetasi iu vunë prangat, pasi në mbrëmjen e 29 gushtit 2013, ora 21.30, në Pikën e Kalimit Kufitar të porti (terminali i trageteve), gjatë kontrollit te ushtruar në bagazhin e autoveturës Ford Focus me targa CG916RG, u gjend një çantë me 68 pako me përmbajtje masë të thatë bimore që dyshohet të jetë kanabis. Ato peshonin 43kg 100 gramë. Automjeti në fjalë do të imbarkohej në tragetin “Michela” të linjës Durrës-Bari për të udhëtuar drejt Italisë. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 aparate celulare, një automjet, 163 euro dhe 7400 lekë. Materialet hetimore iu përcollën Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Info
Policia kufitare e portit ka një punë të madhe në përpunimin e udhëtarëve, gjë që mund të shfrytëzohet nga persona kriminalë. Sa për të krijuar një ide, po përmendim se vetëm për datën 29 gusht 2013, kur u kap sasia e kanabisit, sipas drejtorisë së policisë së shtetit, janë larguar më traget 4 827 shqiptarë me 1 149 mjete dhe 1 120 të huaj me 301 automjete. Hyrjet në port kanë qenë në shifra të ulëta (326 shqiptarë me 115 mjete dhe 191 të huaj me 63 mjete). Qarkullimi në port ka qenë gjithsej 6 464 udhëtarë dhe 1 628 automjete.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





