DURRËS, 21 prill 2014 – Veprimet e ekuipazhit të anijes së udhëtarëve “Bridge” (në foton nga Arbër Goci) për shpëtimin e Gentian Pemës, kanë qenë në përputhje me procedurat standarde ndërkombëtare dhe se pajisjet e shpëtimit të tragetit kanë qenë në rregull, kështu deklaruan në një prononcim për “Dyrrah”-un në mesditën e 21 prillit 2014 drejtori i përgjithshëm i Administratës Detare Gazmir Tahiri dhe kapiteni i Porteve të Shqipërisë Hysni Aruçi.
Për Tahirin dhe Aruçin hetimet e prokurorisë dhe policisë kanë të bëjnë me faktin nëse Gentian Pema ka kryer vetëvrasje apo e kanë vrarë.
Ndërsa pohimet në medie të dëshmitarëve apo filmimet me celular, ku aludohet për mungesë gatishmërie teknike të pajisjeve të shpëtimit të “Bridge”-it, janë pjesë e lirisë së fjalës.
Bashkëbiseduesit e “Dyrrah”-ut mendojnë se zhurma që bëhet, mund të jetë nxitur nga konkurrentët e kompanisë detare “European Seaways”, që menaxhon tragetin.
Për Kapitanerinë shqiptare komanda e tragetit nuk ka vepruar gabim dhe fakti që po vazhdon punën, është tregues.
Kapitaneria e Durrësit e ka inspektuar “Bridge”-in në fillim të pikut të sezonit të lartë, në fund të dhjetorit 2013.
Përveç palës shqiptare, për shkak se flitet për një kompani greke që prek dhe portet italiane, autoritetet e këtyre të fundit ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme, për më tepër se në linjat e Shqipërisë lundrojnë dhe shtetas italianë (mjaft kuptimplotë është një bashkëbisedim i komandës së motovedetës italiane të Guardia di Finanza-s që pyeste nëse në traget kishte italianë dhe nëse personi që ra në det kishte apo jo nënshtetësi italiane).
Po ashtu “Dyrrah”-u mësoi se një grup hetimor i autoriteteve portale të Durrësit po përgatit një raport ekspertize për ngjarjen që do t’i dorëzohet më 22 prill 2014 Administratës Detare, e cila, nga ana e vet, do t’ia çojë ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto.
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Detare Gazmir Tahiri tha se për shkak të konfidencialitetit, pasi kemi të bëjmë me subjekte biznesi, nuk mund të bëhet publik raporti, por premtoi për një informim për “Dyrrah”-un pa kaluar në hollësi teknike.
Info
Trageti “Bridge” është prodhuar në Australi në vitin 1976.
Pronar është kompania greke “European Seaways” me seli në Athinë.
Ka flamur të Maltës dhe port regjistrimi La Valeta.
Kapaciteti: 1 030 udhëtarë, 280 shtretër, 450 vetura, 70 kamionë.
Shpejtësia maksimale: 19 nyja (35 km/orë), gjatësia x gjerësia: 142m x 23.4 m.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





