DURRES, 24 qershor 2013 – Në vazhdimësi të lajmit të mëparshëm për një person të hedhur në det nga trageti "Rigel 1", korrespondentja e agjencia e lajmeve “Dyrrah” njofton se:
Trageti “Rigel 1”, që ishte nisur nga Durrësit drejt Barit (Itali) është detyruar ta ndërpresë për katër orë radhazi lundrimin për shkak të njoftimit për humbjen e një njeriu në det.
Kapiteni i portit, Hysni Aruçi tha për ATSH-në se ngjarja ka ndodhur në bordin e anijes sot rreth orës 1.20, kur një nga udhëtarët ka njoftuar se dikush është hedhur në det.
Ekuipazhi i tragetit, që ndodhej 15 milje larg Durrësit, i mbështetur edhe nga tragetet e tjerë në lundrim ka nisur kërkimet në det, për disa orë.
Ndërkaq nga kontrollet sipas listave të udhëtarëve në traget, si dhe në listat e personelit të tragetit nuk ka patur asnjë mungesë.
Kapiteni i portit, Aruçi, shtoi se në orën 5.30 kapiteneria ka lejuar komandantin e tragetit “Rigel 1” të vijojë lundrimin drejt Barit.
Kjo anije do të mbërrijë në portin italian me disa orë vonesë, si pasojë e ndërprerjes së udhëtimit natën e kaluar.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





