DURRËS, 22 prill 2014 –  Tani politikani dhe biznesmeni Lefter Koka konsiderohet “Dashnor i Detit”, këtë titull ia ka dhënë Kapiteni i Porteve të Shqipërisë Hysni Aruçi.

Lexues të shumtë të “Dyrrah”-ut kanë tërhequr vëmendjen pse nuk është përmendur në lajmin për evenimentin e 100-vjetorit të Kapitanerisë, të zhvilluar më 14 prill 2014, nderimi që iu bë biznesmenit me lidhje detare, ish-kryetar i bashkisë së Durrësit, ish-deputet, aktualisht Ministër i Mjedisit Lefter Koka.

Kërkojmë ndjesë pse nuk njoftuam opinionin publik që Kapiteni i Porteve, Hysni Aruçi, kur ky i fundit i dha fjalën ministrit të Mjedisit Lefter Koka (LSI), e quajti biznesmenin dhe politikanin Dashnor të Detit, nga Saranda deri në Shëngjin.

Ishin shend e gaz për këtë titull edhe zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës Yll Manjani (LSI) si dhe përfaqësuesit e tjerë të LSI-së, drejtorët e përgjithshëm të Hekurudhave Shqiptare Genc Alizoti dhe ai i Autoritetit Portual Durrës Selim Belortaja etj.

Ky nuk qe ndonjë ekzaltim i rastit, as sinjal për ta mos lëvizur nga posti, por z. Aruçi e kishte me sinqeritet, pasi i ka pasur të shkëlqyera marrëdhëniet e punës me anijen dhe firmën Koka.

/Thanas Mustaqi agjencia e lajmeve “Dyrrah”/