Durrës, 19 qershor 2014 – Aksioni i policisë shqiptare në fshatin e Lazaratit ndodhet në ditën e pestë të tij. Përveç angazhimit të forcave të shumta policore shqiptare në këtë aksion, në Shqipëri kanë mbërritur edhe forcat karabiniere italiane.

Mëngjesin e sotëm në stacionin e policisë në zonën e plazhit të Durrësit janë parë të mbërrijnë makina dhe autoblinda të policisë italiane me mbishkrimin “Carabinieri”, njofton Mapo. Situata në Lazarat mesa duket ka bërë të nevojshme edhe ndihmën e partnerëve të huaj për policinë shqiptare, në vendosjen nën kontroll të fshatit.

Lazarati nuk është më fshati i paprekshëm dhe rebel. Policia e Shtetit ka arritur në zemër të tij, duke vendosur kontrollin e plotë pas 5 ditëve aksion dhe përplasje me banorët. Efektivët e policisë kanë depërtuar në zemër të fshatit pasditen e sotme, ndërkohë që lazaratasit lëshuan terren.

Ata që qëlluan dyshohet se u larguan nga fshati, të tjerët hapën dyert për kontroll dhe pranuan që kishin kultivuar kanabis. Kanabisit që kishin nëpër banesa i vunë flakën, e hodhën ku të mundnin, duke lënë pas tymin e flakën e tij. 

RENA dhe FNSH e mbërthyen fshatin dhe thonë se e kanë atë nën kontroll. Për ta kthyer Lazaratin në një fshat normal, u angazhuan 800 forca policore të mbështetura nga mjete të posaçme, forca të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, Delta Forcë në Vlorë, si dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj. Po ashtu  rreth 60 automjete policie u vunë në lëvizje. 

Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 14 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone. 

Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjësimin e rreth 80 mijë rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 12 ton e 800 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin. 

Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë. 

Është ushtruar kontroll në territoret e mbi 80 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar në zonë. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/