Komisioni i Barazisë Gjinore dhe Mirëqënies Sociale i Këshillit Bashkiak Durrës me përfaqësues anëtarët:
- Klementina Meçi
- Petrit Ismailati
- Jolanda Mustafaraj
- Adriana Hatellari
- Ezmeralda Xheraj
Njofton:
Këshilli Bashkiak Durrës më anë të vendimeve të marra dhe përkatësisht, “Mbi disa shtesa dhe ndryshime të VKB 569 datë 22.12.2018, i ndryshuar me VKB nr. 45, datë 29.05.2020, Për Sistemin e Taksave dhe Tarifave Vendore në qytetin e Durrësit”, në lidhje me reduktimin e detyrimit mujor dhe shërbimin pa pagesë për kategoritë në nevojë, njofton banorët e Bashkisë Durrës dhe ato në Njësitë Administrative për përfitim të reduktimit të tarifës së regjistrimit të fëmijëve në institucionet e arsimit parashkollor – kopshtet dhe cerdhet.
Njoftojmë se sipas vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, shtresat në nevojë që përfitojnë reduktim të tarifës për regjistrim në arsimin parashkollor – kopshte, paraqiten sipas kategorive më poshtë:
1. Familjet të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike të përjashtohen nga detyrimi mujor.
2. Familjet me binjakë e lart paguajnë vetëm për njërin fëmijë.
3. Familje të cilët kanë një prind invalid (me komision mjeko ligjor) dhe tjetrin të papunë (vërtetim nga zyra punës ) përfitojnë 50% reduktim nga detyrimi mujor.
4. Fëmijë të vajzave nëna, sipas statusit në regjistrat e Gjendjes Civile përfitojnë gjithashtu 50% reduktim nga detyrimi mujor.
5. Familjet ku vetë fëmija që ndjek institucionet arsimore parashkollore është me aftësi të kufizuar të vërtetuar me komision mjeko-ligjor, përfitojnë 50% reduktim nga detyrimi mujor.
6. Fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian përfitojnë 50% reduktim nga detyrimi mujor.
Ftojmë kategoritë përfituese si më sipër që të interesohen, për informacion të mëtejshëm dhe plotësim të dokumentacionit të nevojshëm për regjistrim të fëmijëve sipas këtyre lehtësimeve, pranë kopshteve që i korrespondojnë vendbanimit të tyre.





