Prej katër muajsh një fëmijë është braktisur nga nëna e tij në maternitetin e Durrësit. Stafi i këtij institucioni është kthyer në prindër të vogëlushit, i cili është fëmija më i shëndetshëm dhe më i madh i repartit të Reanimacionit.
Shefja e maternitetit. Dhurata Beshello deklaroi se fëmija, i cili gëzon shëndet të plotë, u braktis nga nëna e tij 17-vjeçare, e cila vuante nga sëmundje mendore.
Prej katër muajsh, prindër të Kejdit të vogël janë bërë i gjithë stafi i maternitetit të Durrësit.
Vogëlushi biond e me sy ngjyrë qielli, nuk mundi ta njohë nënën e tij të vërtetë, e cila pas lindjes e braktisi në maternitetin e Durrësit, pohoi shefja e repartit, Dhurata Beshello.
Prej lindjes, vogëlushi ka marrë vëmendjen e të gjithë stafit, i cili kujdeset për të për çdo gjë, duke i siguruar dashuri, ushqim, veshje etj.
Edhe më herët, stafi i maternitetit ka rritur fëmijë të cilët braktisen vazhdimisht nga prindërit e tyre. Këta fëmijë dërgohen në shtëpinë e fëmijës, ku i nënshtrohen procedurave të birësimit.
K.H.





