DURRËS, 17 nëntor 2014 –  Piratët e pasurive nënujore i sulen vijës bregdetare të Durrësit, deri në skajin më verior, në Ishëm, ku ndodhet dhe Kepi i Rodonit.

Në një postim (shih faksimilen) të vetin Agjencia Kombëtare e Bregdetit shkruan:

“Peshkatarët e zonës së Kepit të Rodonit njoftuan se prej disa muajsh po grabiten dy anije të mbytura në këtë zonë, pjesë e flotës austro-hungareze, “S.M.S Lika” dhe “S.M.S Triglav”.

Këto anije janë pjesë e Betejës së Famshme të Durrësit ku flota aleate (Entente) u ndesh me flotën e Fuqive Qendrore (Austro-Hungaria-Gjermani).

Dy anijet e mbytura pjesë e skuadronit të Komandantit, më vonë Regjenti i Hungarisë Admiral Horthy, ranë në mina detare, ku dhe u mbytën me humbje të mëdha në njerëz.

Agjencia Kombëtare e Bregdetit po punon për të ndaluar këtë grabitje si dhe po kërkon ndihmën e të gjithë atyre banorëve përgjatë vijës bregdetare për të sinjalizuar autoritetet shtetërore nëse ka raste të ngjashme.

Ruajtja e Trashëgimisë sonë Kombëtare në tokë apo nën det është detyrë e çdo qytetari”. 

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/