Durrës, 27 maj 2014 – Një 36 vjeçar është kërcënuar me jetë nga personi të cilit i kishte marrë kohë më parë 28 mijë euro borxh.

Mësohet se shtetasi D.Q., 36 vjeç, banues në Durrës ka denoncuar në komisariatin e policisë një 62 vjeçar, të cilit i kishte marrë një shumë të konsiderueshme parash kohë më parë.

Për shkak të lidhjeve shoqërore që kishin, 36 vjeçari D.Q. i ka kërkuar 62 vjeçarit A.B., nga Tirana që ta ndihmonte me një sasi parash, të cilat sipas tij do të përdoreshin për hapjen e një aktiviteti privat.

36 vjeçari e ka siguruar personin që i ka marrë borxhin se do ta likujdonte së shpejti. Por duket se afatet kohore nuk janë respektuar, paratë janë shpenzuar dhe në momentin që 62 vjeçari nga Tirana ka kërkuar kthimin e eurove, borxhliu i tij i ka bërë të ditur se nuk e dispononte shumën në fjalë.

I ndodhur në këto kushte, 62 vjeçari duket se ka kërcënuar me jetë borxhliun e tij. Të paktën ky është denoncimi i bërë nga 36 vjeçari në komisariatin e policisë.

Pasi ka grumbulluar provat mbi këtë çështje, policia e Durrësit ka nisur procedimin penal ndaj të moshuarit nga Tirana, ndërkohë që materialet për këtë shtetas që akuzohet për “Kanosje” i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së rrethit bregdetar.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/