· Ndryshuan destinacionin me vlerë dy milionë euro të subvencionit për transportin e udhëtarëve në vitin 2014 për paga, sigurime shoqërore, shpenzime karburanti, shpenzime riparimi etj
DURRËS, 10 qershor 2015 – Administratorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Hekurudha Shqiptare” sha Genc Alizoti i kërkohet të marrë masa administrative (vërejtje me paralajmërim për zgjidhje kontrate ose zgjidhje të kontratës së punësimit) për 10 zyrtarë të lartë.
“Dyrrah”-u ka mësuar se ndëshkimet për vërejtje apo largim nga detyra për 10 funksionarë në Drejtorinë e Përgjithshme të sha “Hekurudha Shqiptare” kanë të bëjnë me faktin se “me veprimet dhe mosveprimet e tyre nuk kanë zbatuar procedurat ligjore për përdorimin e subvencionit të akorduar për transportin e udhëtarëve në vitin 2014, duke ndryshuar destinacionin e këtij subvencioni në vlerën 269 625 817 lekë [rreth dy milionë euro – “Dyrrah”-u]. Konkretisht, jo i gjithë subvencioni i akorduar nga buxheti i shtetit është përdorur për ndihmë shtetërore për transportin e udhëtarëve, në kundërshtim me destinacionin e përcaktuar. Një pjesë e konsiderueshme e këtij fondi, ka kaluar për aktivitete të tjera të kësaj shoqërie dhe kryesisht për paga, sigurime shoqërore, shpenzime karburanti, shpenzime riparimi etj.”.
Bëhet fjalë për drejtorin ekonomik të Drejtorisë së Përgjithshme; shefin e sektorit të financës së DPH-së; drejtuesin e njësisë së infrastrukturës; drejtuesin e njësisë së shërbimit të mjeteve lëvizëse; drejtuesin e njësisë së mallrave; drejtuesin e njësisë së biznesit të udhëtarit; shefin e sektorit të financës të njësisë së infrastrukturës; shefin e sektorit ekonomik të njësisë së mjeteve; shefin e sektorit ekonomik të njësisë së mallrave dhe shefin e sektorit ekonomik të njësisë së udhëtarit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





