Këshilli bashkiak i Durrësit, i mbledhur mbrëmjen e sotme, është karakterizuar nga një debat i fortë, që u krijua nga pika e fundit e rendit të ditës, ajo që kishte të bënte me rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 15%. Kjo pikë, e cila u fut në rendin e ditës në minutën e fundit, nuk ishte bërë e njohur nga këshilltarët më parë, dhe për këtë arsye ajo ngjalli debate.

Asnjë nga këshilltarët nuk ishte njohur me relacionin që u fut në momentin e fundit të rendit të ditës dhe për këtë arsye PD dhe LSI votuan kundër, gjë që solli mos miratimin e saj.

Debate krijuan edhe 7 pikat e para të rendit të ditës, ku këshilltarët demokratë votuan kundër.

Pika e parë, ajo që kishte të bënte me veprintarinë financiare dhe zbatimin e buxhetit të vitit 2016 të bashkisë Durrës, relacion ky që u mbajt nga Abdyl Koka, drejtori i Tatim – Taksave në Bashkinë e Durrësit, pati dhe reagimet më të ashpra të këshilltarëve të PD-së, që akuzuan bashkinë për mos realizimin e vjeljes së taksave.

Në fund të mbledhjes, kreu i grupit të këshilltarëve demokratë, Armand Teliti e quajti kriminale realizimin e projektit Veliera, ndërsa një nga pikat e rendit të ditës kërkonte miratimin e fondeve shtesë për realizimin e projektit. Teliti i bëri thirrje Prokurorisë të nxjerrë përgjegjësit, sipas tij, të shkatërrimit të pasurisë arkeologjike të qytetit bregdetar. Kujtojmë se kjo kërkesë është bërë nga këshillarët demokratë në çdo mbledhje të këshillit. 

K.H.