Këshilli bashkiak i Durrësit ka miratuar në mbledhjen e sotme akordimin në parim të shumës 1.5 milion lekë të reja për familjen e trenjakëve, që u dogjën të gjallë dy muaj më parë në fshatin Romanat.
“Për miratimin në parim të vlerës 1’500’000 lekë si ndihmë financiare për humbjen e jetës të të ndjerëve Artur Gazmend Konçi, Valerio Gazmend Konçi dhe Alesio Gazmend Konçi, si pasojë e djegies së banesës, dhe dërgimin e dokumentacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Brëndshme për vazhdimin e procedurave të mëtejshme”, ishte pika e rendit të ditës për të cilën këshilltarët votuan në mënyrë unanime.
Rreth 2 muaj më parë, në fshatin Romanat, Durrës u dogjën të gjallë në shtëpi trenjakët Artur, Valerio dhe Alesio Konçi. Mamaja e 3-vjeçarëve kishte shkuar të merrte vajzat në shkollë dhe I kishte lënë vetëm në shtëpi 3 djemtë.
Kur u kthye shtëpia ishte përfshirë nga flakët dhe megjithë përpjekjet e bëra nga bashkëfshatarët nuk u arrit që vogëlushët të nxirreshin të gjallë nga shtëpia e shkrumbuar.





