Këshilli Bashkiak Durrës pritet të marrë të hënën, në një mbledhje jashtë radhe të tij, dy vendime të rëndësishme për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti, e që do t’i rindërtohet shtëpia.
Njëra nga pikat e rendit të ditës është e mbartur nga mbledhja e fundit e muajit korrik, kur këshilltarët kërkuan shtyrjen e saj në një tjetër mbledhje, pasi nuk kishin pasur kohën e mjaftueshme në dispozicion për ta shqyrtuar.
Në njoftimin e Këshillit Bashkiak bëhen të ditura dy pikat e rendit të ditës së mbledhjes, që do të mbahet në orën 12.00:
- PËR MIRATIMIN E LISTËS SË PËRFITUESVE NGA PROGRAMI I RINDËRTIMIT NË NJËSITË ADMINISTRATIVE NR. 1, 2, 4, 5, 6, SUKTH, KATUND I RI, ISHËM DHE MANËZ, BASHKIA DURRËS
- PËR MIRATIMIN E LISTËS SË PËRFITUESVE NGA PROGRAMI I RINDËRTIMIT NË NJËSITË ADMINISTRATIVE NR. 1, 2, 4, KATUNDI I RI, SUKTH, MANËZ, ISHËM DHE RRASHBULL, BASHKIA DURRËS
Duket se këtë herë, bashkia, për t’i paraprirë një shtyrje tjetër, i ka përgatitur listat e përfituesve disa ditë më përpara, në mënyrë që këshilltarët të mund të njihen paraprakisht me to.
Megjithëse jemi rreth 9 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, ende nuk ka nisur procesi i rindërtimit në Durrës. Deri më tani janë shpërndarë grantet e rindërtimit për banesat me dëmtime DS1 dhe DS2, të cilat janë hequr nga skema e bonusit të qirasë. Grantet janë shpërndarë edhe për një pjesë të banorëve me dëmtime DS3 në shtëpitë e tyre, por në këtë rast problemi komplikohet, pasi godinat kanë dëmtime të rënda në ambientet e përbashkëta dhe duhet ndërhyrja e shtetit për riparimin e tyre dhe kthimin në gjendjen fillestare.





