·        PD-ja kundër ligjeve të partisë së saj mbi taksimin e tregtarëve ambulantë

·        Dështon plani i opozitës për të prishur kuorumin në votimin mbi sistemin e pikëzimit për familjet që kërkojnë të trajtohen me banesa sociale me qira   

DURRËS, 18 mars 2014 –  I del gjumi opozitës bashkiake, teksa ndryshe nga mbledhja e Këshillit të Qarkut, ku krerët e njësive vendore blu nuk u ndien fare, “baballarët” blu të qytetit bregdetar u orvatën të thoshin fjalën e tyre, por me disa përfundime jo të “lavdishme”. 

Më 18 mars 2014 në mbrëmje, në sallën e mbledhjeve të Këshillit bashkiak u zhvillua mbledhja e “parlamentit” të qytetit të Durrësit, me disa episode debati sidomos midis këshilltarit blu Armand Teliti dhe kryebashkiakut Vangjush Dako.

ÇËSHTJET

Në rendin e ditës ishin parashikuar disa projektvendime: për miratimin e ndihmës ekonomike muaji shkurt 2014 dhe pagesës së paaftësisë për muajin mars 2014; shqyrtimin dhe miratimin të efekteve ekonomike dhe financiare të daljes nga përdorimi të aktiveve afatshkurtra dhe afatgjata për vitin 2013 në qendrën kulturore “Aleksandër Moisiu” dhe të inventarit të imët, materialeve në magazinë, inventarit ekonomik dhe pajisjeve elektrike për vitin 2013 në klubin e shumë sporteve “Teuta”; shqyrtimin dhe miratimin e daljes nga përdorimi të banakëve të bulmetit dhe peshkut në tregun bujqësor; shqyrtimin dhe miratimin ndryshimit të rregullores së funksionimit të sektorit veterinar pranë drejtorisë së shërbimeve në bashki; shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimeve në vendimin e këshillit bashkiak nr. 178 dt. 29.01.2014 “Për sistemim e taksave dhe tarifave vendore ne qytetin e Durrësit”; miratimin e buxhetit faktik të vitit 2013 të bashkisë dhe miratimin buxhetit shtesë për vitin 2014; miratimin e  ndryshimit të vendimin e këshillit bashkiak nr. 73 datë 1.10.2012 “Për miratimin e sistemit të pikëzimit për familjet që kërkojnë të trajtohen me banesa sociale me qira”.

Ndihma ekonomike u miratua njëzëri.

Kurse për daljen nga përdorimi i aktiveve afatshkurtra dhe afatgjata për vitin 2013 në qendrën kulturore “Aleksandër Moisiu” opozita blu, nëpërmjet këshilltarit Zamir Ramadani, kërkoi informacion se ç’do të bëhej me veglat muzikore dhe çfarë përfitimi do të kishte nga shitja e inventarit.  

PD VOTOI “KUNDËR” BERISHA-BODES

Pati debate për projektvendimin mbi miratimin e ndryshimeve në vendimin e këshillit bashkiak nr. 178 dt. 29.01.2014 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore ne qytetin e Durrësit”.

Folën këshilltarët e PD-së Eduard Ndreu dhe Armand Teliti.

Midis këtij të fundit dhe kryetarit të bashkisë Vangjush Dako u zhvilluan replika. Në bazë të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, në lidhje me tatimin e thjeshtuar, grupi i tregtarëve nëpër tregje të miratuara nga bashkia, është përfshirë nga qeveria e PD-së dhe ish-ministri i Financave Ridvan Bode, në grupin e subjekteve me xhiro nga 0 deri në 2 milionë lekë dhe tatimi i thjeshtuar është përcaktuar 25 000 lekë në vit dhe paguhet deri më datë 30 qershor të vitit fiskal. Lidhur me këtë ndryshim që përcakton ligji nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, taksat dhe tarifat që u takojnë subjekteve, të konsideruar më parë si “ambulantë”, edhe sipas paketës së re fiskale të miratuar me vendimin e këshillit bashkiak nr. 178 datë 29 janar 2014, kanë pësuar rritje. Procedura e regjistrimit fillestar të këtyre subjekteve është e njëjtë dhe bëhet në Drejtorinë Rajonale Tatimore për pajisjen e tyre me NIPT.

Paketa e re fiskale është shoqëruar me rritje të ngarkesës fiskale. Shembull: në qoftë se një tregtar, në një treg të miratuar, deri në vitin 2013, ka paguar taksën vendore mbi biznesin e vogël në vlerën prej 8 000 lekë, duke filluar nga janari i vitit 2014 do të paguajë tatimin e thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël në vlerën prej 25 000 lekë.

Duke iu referuar udhëzimit nr. 1 datë 12.1.2007 të Bodes “Për përcaktimin e veprimtarive që trajtohen si tregtare apo shërbimi ambulant si dhe procedurat e regjistrimit të tyre në organin tatimor”, për efekt të tarifimit të tyre në sistem, bashkia rekomandoi që kjo tarifë të ndahet në tarifë e gjelbërimit prej 1 500 lekë, tarifë e pastrimit dhe largimit të mbeturinave prej 1 500 lekë dhe tarifë e ndriçimit prej 3 000 lekë, gjithsej 6 mijë lekë në vit.

Teliti bëri thirrje që tarifat të bëhen zero dhe ambulantët të paguajnë vetëm tatimin e thjeshtuar që ka vendosur qeveria.

Çuditërisht, Teliti nuk sulmoi qeverinë Rama, që zbatonte një ligj të qeverisë Berisha, por kërkoi të ndihmoheshin ambulantët nga bashkia, duke mos u kërkuar asgjë.

Dako i kujtoi opozitës se po spekulonte, pasi ambulantëve u është ulur tarifa 5 herë, kurse ngarkesa fiskale është rritur nga Bodja.

Pas shkëmbimit të batutave “hidh e prit”, u kalua në votim, ku këshilltarët blu votuan kundër, në thelb, jo ndaj Dakos, por kundër Berishës dhe Bodes; por me 23 vota pro të shumicës kaloi dhe ky projektvendim.

PIKËZIMI I STREHIMIT, OPOZITA AS MISH AS PESHK

Vazhduan debate të forta Teliti-Dako dhe për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2013 të bashkisë, pas rakordimeve me degën e Thesarit.

Teliti përmendi mosmbledhjen e taksave dhe mosrealizimin e të ardhurave për një sërë zërash.

Dako argumentoi se “gropën” më të madhe e krijoi taksa e ndikimit mbi infrastrukturë për shkak të bllokimit të KRRT-së nga PD-ja.

Edhe ky projektvendim kaloi vetëm me 23 votat e mazhorancës.  

Kurse për projektvendimin mbi miratimin e  ndryshimit të vendimit të këshillit bashkiak nr. 73 datë 1.10.2012 “Për miratimin e sistemit të pikëzimit për familjet që kërkojnë të trajtohen me banesa sociale me qira” pati një finale interesante.

Pasi foli zëvendëskryetarja e komisionit të strehimit, shërbimeve publike dhe i brendshëm, Veziko Kerraj, që akuzoi PD-në për mungesa të qëllimshme në mbledhjet e komisionit, grupi i opozitës u ngrit të largohej, por kryetari i këshillit bashkiak Alban Ramohitaj e hodhi në votim projektvendimin për të mos u humbur kuorumi. E djathta as votoi pro, as votoi kundër.

Por mazhoranca pati 23 votat për miratim.

Fotot nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të 18 marsit 2014, mirësjellje: Denis Simaku dhe Mark Brunga.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/