Marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Kulturës Rome dhe me Shoqatën e të Verbërve
DURRES, 15 maj 2013– Këshilli i Qarkut të Durrësit ka nënshkruar sot dy marrëveshje bashkëpunimi, një me Institutin e Kulturës Rome dhe një tjetër me Shoqatën e të Verbërve, një tregues ky i rëndësisë së vazhdueshme që kanë marrëdhëniet me shoqërinë civile për Këshillin e Qarkut.
Armand Teliti, kryetari i Këshillit të Qarkut të Durrësit, para nënshkrimit, u shpreh duke thënë se Këshilli i Qarkut, si një institucion i qeverisjes vendore, ka bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me organizatat joqeveritare për t’i ndihmuar ato në përmbushje të misionit të tyre.
Marrëveshja me Institutin e Kulturës Rome parashikon që studentë të komunitetit rom të kryejnë praktikën profesionale pranë Këshillit të Qarkut.
“Kjo do t’u vijë në ndihmë të sapo-diplomuarve të komunitetit rom për t’u bërë më mirë e më shpejt pjesë si e administratës publike, ashtu edhe e organizatave apo bizneseve private,” – shtoi Teliti.
Përsa i përket marrëveshjes me Shoqatën e të Verbërve, ajo parashikon që Këshilli i Qarkut të ofrojë një ndihmë financiare për të ndihmuar këtë grup njerëzish me nevoja të veçanta.
“Ne kemi një traditë të mirë bashkëpunimi me Shoqatën e të Verbërve. Kjo nuk është hera e parë që Këshilli i Qarkut ofron ndihmë financiare dhe patjetër që nuk do të jetë as hera e fundit. Bashkëpunimi me ju do të vazhdojë, në funksion të integrimit tuaj sa më të plotë në shoqëri.”- u shpreh Teliti.
Në të njëjtën kohë, edhe përfaqësuesit e dy grupimeve shprehën falenderimet e tyre për mundësitë e ofruara nga Këshilli i Qarkut të Durrësit.
/e.a. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





