Durrës. Këshilltarëve të qarkut s’u bëhet vonë për hallexhinjtë e trojeve

·        Banorë të Krujës, Fushë-Krujës, Shijakut etj. kanë paraqitur një numër të konsiderueshëm praktikash për shqyrtim dhe miratim që kërkon mbledhje të përmuajshme të këshillit të qarkut, por askush nuk do të marrë pjesë në zgjidhjen e nevojave të votuesve të vet

DURRËS, 18 tetor 2014 –  Drejtori i zhvillimit urban dhe turizmit në këshillin e qarkut të Durrësit, z. Artan Semini relatoi në mbledhjen e 17 tetorit 2014  mbi procedurat e miratimit të kalimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10 gusht 1991, e të truallit funksional të tyre kur nuk posedohen akte fitimi pronësie si dhe regjistrimin e tyre.

Sipas z. Semini, pranë sektorit të urbanistikës janë përcjellë nga bashkitë e Krujës, Fushë-Krujës, Shijakut etj. një numër i konsiderueshëm praktikash për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i qarkut, i cili, me vendim qeverie nr. 608, 5 shtator 2012, duhet të shprehet me vendim brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së dosjes së plotë së bashku me relacionin teknik.

Nëse këshilli i qarkut nuk shprehet me vendim brenda afatit të mësipërm, kalimi i pronësisë quhet i miratuar.

Kur ky nivel i dytë i qeverisjes vendore hedh poshtë vendimin e institucionit të autorizuar, arsyeton në mënyrë të hollësishme shkaqet e mospranimit.

Ndërsa zyrtari i administratës po fliste për nevojën e mbledhjeve të përmuajshme për shqyrtimin e kërkesave të komuniteteve nga janë zgjedhur, askush nga të pranishmëve nuk u shpreh.

Si mund të prishet rehatia dhe t’u bëkan mbledhje muaj për muaj?! Punë e madhe! Le të bëhen fakt i kryer kërkesat dhe të mos shqyrtohen rastet e shkeljeve ligjore dhe korrupsionit!

Madje, askush nuk foli dhe kur z. Semini propozoi që kryesia e këshillit të qarkut të marrë në shqyrtim praktikat periodikisht varësisht nga numri dhe afatet; në vijim të procedohet me miratimin e vendimeve në mbledhjen më të afërt të këtij këshilli!

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/