DURRËS, 12 dhjetor 2013 – Skënder Koni, anëtar i këshillit bashkiak të qytetit të Durrësit, njëkohësisht kryetar i degës së Partisë Demokristiane të Nard Nokës, më 11 dhjetor 2013, në mbledhjen themeluese, u zgjodh senator i Unionit Demokristian. Këtë e bëri të ditur vetë Koni në një prononcim për “Dyrrah”-un. Sikurse është njoftuar, katër parti demokristiane vendosën më 7 dhjetor 2013 të bashkohen në një union të përbashkët. Drejtuesit e Partisë Demokristiane (PDK), Partisë Kristian Demokrate (PKD), Partisë Lidhja Demokristiane (LDK) dhe Aleanca Demokristiane (ADK) kanë nënshkruar marrëveshjen e krijimit të Unionit Demokristian Shqiptar. Pas krijimit të “Unionit”, demokristianët kanë hedhur një hap më të rëndësishëm duke themeluar “Senatin Demokristian”, që shënon pikën më të lartë të përfaqësimit të kësaj alternative, ku qëllim ka unifikimin dhe promovimin e vlerave kristiane, por dhe ruajtjen e vlerave kombëtare. Senatorët themelues janë figura të njohura në jetën politike, akademike, sociale, kulturore, mediatike dhe më gjerë. Senati Demokristian është një strukturë e pavarur, ku janë ftuar për të marrë pjesë të gjithë intelektualë, politikanë, gazetarë, sipërmarrës, etj. Në aktivitetin e organizuar më 11 dhjetor 2013 në hotel Tirana International ishin të pranishëm edhe krerët e partive kristiane në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë, deputetë, ish-deputetë dhe drejtues të strukturave vendore. Senati është konsideruar si një forum me personalitete që kanë synim promovimin e vlerave kristiane, promovimin e vlerave historike dhe rrënjëve të traditës së krishterë në vendin tonë. Mes të përzgjedhurve si senatorë ishin edhe vëllezërit Kushneni, drejtuesit e njohur të diasporës shqiptare, të cilët ofruan mbështetje për Senatin Demokristian. Në momentin e themelimit të këtij senati folën dishepuj të PD-së dhe Sali Berishës, sikurse njihen gazetarët Frrok Çupi, Alfred Lela dhe Agim Doçi. Ndërsa përshëndetje të veçantë adresoi edhe kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i cili tha se do të vlerësojë të gjitha idetë, propozimet dhe sugjerimet që ky senat kërkon të përcjellë tek institucionet si qeveria, parlamenti apo strukturat e tjera politike. Senati synon përpunimin dhe prezantimin e filozofisë demokristiane në politikën mbarëshqiptare; harmonizimin e vlerave dhe ideve në lidhje me historinë e përbashkët, orientimin fetar, traditën kulturore, origjinën dhe orientimin evropian. Ndoka ka sulmuar Avokatin e Popullit Igli Totozani dhe politikanët, që mbështesin lëvizjen LGBT dhe legalizimin e martesave gej. Me sa duket, demokristianët do të luftojnë për një referendum kundër martesave homoseksuale.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/