10 shtator 2015 –  Me nisjen e sezonit turistik 2015 Spitali Rajonal Durrës (SRD) dhe Autoriteti Portual Durrës (APD), në kuadër të projektit  AdriHealthMob  kanë rikthyer këndin e asistencës mjekësore në terminalin e udhëtarëve në portin e Durrësit. Stafi mjekësor ka ofruar shërbimin e parë shëndetësor dhe në raste emergjencash, pacientët janë shoqëruar për në SRD. Janë shënuar pak raste urgjencash, me udhëtarët gjatë momentit të udhëtimit edhe pse pa komplikacione apo nevojë për shtrim në spital. Stafi mjekësor ka ofruar shërbim edhe brenda në tragete, me matjen e tensionit, masa dhe këshilla të tjera paraprake për udhëtarët. Me kalimin e ditëve numri i udhëtarëve në portin e Durrësit është shtuar, duke arritur në fundjavë edhe në 2 000 persona. Ndaj secili prej tyre mund të jetë një pacient potencial. Ky është viti i dytë i ngritjes së këtij këndi asistence në kuadër të  AdriHealthMob, projekt që po zbatohet në SRD, tha drejtorja e përgjithshme Ardiola Frashëri.

Drejtoria e përgjithshme ekzekutive e APD-së thotë se shërbimi 24-orësh me 2 mjekë, 4 ndihmës-mjekë dhe dy drejtues të autoambulancës është ofruar si çdo vit nga Autoriteti Portual Durrës. Gjatë të njëjtës kohë ka vijuar normalisht edhe shërbimi në Qendrën epidemiologjike në portin e Durrësit. Gjatë muajve korrik-gusht në Terminalin e trageteve mbërrijnë apo largohen afro 350 mijë udhëtarë gjithsej dhe personeli mjekësor ka dhënë ndihmë shëndetësore mesatarisht për 3-4 udhëtarë në ditë. Shumica ka marrë kujdesin dhe mjekimin shëndetësor në Qendrën ambulatore, ndërsa në disa raste ata janë përcjellë me autoambulancën e APD drejt Urgjencës së Spitalit Rajonal të Durrësit. Problematikat shëndetësore kanë qenë përgjithësisht ato të tensionit arterial në udhëtarët e moshuar, gjendje të fikëti, raste dehidratimi, etj. Krahasuar me vitet e kaluara, numri i rasteve problematike ka qenë më i vogël, edhe për shkak të ritmikës së lundrimit të trageteve në portet përkatëse.

/portali DurresLajm/