Vdes dhe varroset të premten 36-vjeçari Krenar Nanushi, thjesht për mungesën e një skanimi

DURRËS, 26 tetor 2013 –Thjesht për mungesën e një skanimi dhe rezonance magnetike vdiq i aksidentuari 36-vjeçar Krenar Nanushi. Ai u varros të premten pasdite. Me gjithë klithmat e dëshpëruara të të afërmve, nënës së tij, apelin e medieve, premtimet e ministrit të Shëndetësisë, deputet i Durrësit, aparatura nuk u rregullua. Megjithatë mund të ishte bërë diçka, pasi në Durrës ka skaner privat, po ashtu në Tiranë. Por të gjithë u fshehën pas defektit dhe pajisjeve që nuk erdhën. Nanushin e vrau jo vetëm spitali dhe bluzat e bardha nga Durrësi në kryeqytet. Por fyerja më e madhe, pas vdekjes së Nanushit dhe shokut të tij Stilian Mullaj, vjen nga policia dhe prokuroria, ku punon dhe vëllai i presidentit të republikës. “Nuk ka shtet që dy djem të futen në dhe e shoferi të gëzojë në shtëpi”, denoncon në TV A1 Report Përparim Gumeni, daja i Stilan Mullait. Gumeni ngiti gishtin:  “Akuzoj policinë e Durrësit që kanë bërë ekspertizën e prokurorinë se kanë mohuar krimin. Ky është aksident dhe unë s’e mohoj, por është mbuluar krimi. Shoferi ka vajtur në gjykatë pa një masë sigurie dhe ka dalë i lirë duke mos marrë as masën e detyrimit me paraqitje”.

Info

Më 16 tetor 2013, rreth orës 17.00, në segmentin rrugor Durrës-Tiranë, në afërsi të pikës së karburantit “Elda, një kamion Benz me targa TR4057L, u përplas po me një Benz, veturë, me targa AMG, që drejtohej nga 32-vjeçari Stilian Mullaj, banues në lagjen nr. 18 Durrës. Për pasojë, ka gjetur vdekjen drejtuesi i veturës, si dhe është plagosur rëndë 36-vjeçari Krenar Nanushi, banues po në lagjen nr. 18, i cili ishte udhëtar në veturë.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/