• Ekskluzive / Rrëfimi i kapiten lejtënant Lace Hilës: Operacioni i 7 palombarëve u ndoq nga shefi i shtabit i Forcës Detare kapiten i rangut I Adnand Agastra, prefekti i Tiranës Sadik Vorpsi, etj. dhe u mbështet nga një grup specialistësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës me motopompa thithëse dhe një togë e Komandës së Mbështetjes Rajonale me mjete e pompa për shkarkimin e ujit
DURRËS, 9 shkurt 2015 – Gjatë këtyre ditëve dhe efektivi i Forcës Detare ka qenë në gatishmëri për çdo emergjencë detare dhe tokësore. Të shtunën, më 7 shkurt 2015, duke ndjekur situatën në ujëmbledhësin e Manskurisë dhe problemet e kolektorit atje, komandanti i Forcës Detare me seli në Plepa Durrës gjeneral brigade Qemal Shkurti i dha urdhër Qendrës së Zhytjeve (QZH) të Pashalimanit të merrte pjesë në operacionin për zhbllokimin e këtij kolektori.
Në zbatim të kësaj detyre, një grup zhytësish i QZH-së i përbërë nga komandanti i saj nënkolonel Arif Curaj dhe 7 zhytës: kapiten lejtënant Lace Hila, rreshter Sazan Pashollari, kapter ndihmësmjek Vladimir Sinanaj, nëntetar Muhamet Meçorapaj, Florat Sina, nëntetar Armando Bani dhe Pr-2 Ismail Ferhati, shkuan për të ndihmuar në zhbllokimin e portës së kolektorit të ujëmbledhësit të Manskurisë.
Kapiten lejtënant Lace Hila tregon:
“Fillimisht u mor kontakt me grupin e punës për këtë emergjencë, ku kishte përfaqësues dhe inxhinierë digash që kishin punuar dhe për ndërtimin e këtij rezervuari. Mbi bazën e njohjes paraprake, skemave dhe skicave të basenit, specialistët u shpjeguan zhytësve ndërtimin dhe funksionimin e këtij kolektori shkarkimi. Mbi këtë bazë përcaktuam punën tonë në tri faza. Në fazën e parë bëmë instruktimin e personelit. Vështirësitë ishin të mëdha jo vetëm nga kushtet e motit, shiu i pandërprerë, temperatura e ulët e ujërave të rrëmbyera, pamjeshmëria e vogël, por dhe kushtet e terrenit e relievit në fund të kolektorit. Faza e dytë e operacionit ishte konkrete, sepse zhytësit bënë verifikimin dhe kontrollin faktik të kolektorit të shkarkimit, nxjerrjen e të dhënave të kolektorit, thellësinë e ujit në hyrje te kolektorit, etj. Këto të dhëna iu kaluan grupit të punës. U vendos që nga ana jonë të vihej një tub në hyrje të kolektorit për dhënien e ajrit me presion, i cili bënte të mundur zhvendosjen e llumit. Ndërkohë në dalje të kolektorit, më në lartësi, punohej me një sondë që fuste ajër dhe ujë për zhbllokimin e kolektorit. Të dy tubat, njëri nga lart dhe tjetri nga poshtë, bënë të mundur zhbllokimin e tubit dhe kolektorit. I filluam zhytjet nga ora 9.00 deri në 16.30, të 7 shkurtit2015. Operacioni u ndoq nga shefi i shtabit i Forcës Detare kapiten i rangut I Adnand Agastra, prefekti i Tiranës Sadik Vorpsi, etj. dhe u mbështet nga një grup specialistësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës me motopompa thithëse dhe një togë e Komandës së Mbështetjes Rajonale me mjete e pompa për shkarkimin e ujit. U ndërhy në kohë për zhbllokimin e kolektorit dhe tubat e shkarkimit, gjë që bëri të mundur evitimin e pasojave të rrezikshme për zonën Golem-Durrës nga ky bllokim”.
Info
Qendra e Zhytjeve dhe zhytësit e saj të talentuar kanë zhvilluar dhe më parë operacione të këtij lloji, me rrezikshmëri të lartë për jetën e tyre, si në hidrocentralet Koman, Fierzë, Vau Dejës; në bllokimin e portës së liqenit artificial të Tiranës (kur ndodhi përmbytja), zhbllokimin e rezervuarit në Postribë, Shkodër, Dukaj të Tepelenës, Bunavi, etj.
QZH-ja ka si mision kryerjen e operacioneve të zhytjes nën ujë dhe ndihmon certifikimin e zhytësve në nivel kombëtar.
Detyrat: të komandojë, kontrollojë, trajnojë, pajisë dhe sigurojë zhytës ushtarakë për të mbështetur operacionet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë; të kryejë dhe të mbajë programimin Kombëtar të trajnimit dhe certifikimit për zhytës; të jetë i përgatitur për të siguruar këshilla teknike, ekspertë në lidhje me të gjitha aspektet e zhytjes brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”, kontribuoi me informacion dhe foto Shefqet Kërcelli/





