Krishtlindja dhe Viti i Ri janë festa që përveçse bashkojnë familjet shërbejnë për të përcjellë mesazhe solidariteti për ata që kanë më shumë nevojë.

Rreth 200 pako me ndihma ushqimore, kryesisht produkte te shportës u shpërndanë sot për familjet më vulnerabël të Durrësit në kishën ortodokse të “Apostul Pavlit dhe shën Astit”.

Pakot janë mundësuar falë kontributeve monetare të besimtarëve, por edhe donacionet e ndryshme, bërë në adresë të kishës.

“Gjithmonë në periudhën e Pashkëve të mëdha dhe të Krishtlindjeve, kisha jonë përpiqet me mundësit e saj t`i qëndroj pranë familjeve në nevojë. Edhe në këto Krishtlindje me donacionet e besimtarëve dhe fondet e mbledhura nga kisha, në këtë periudhë festash, kisha ka arritur të siguroj rreth 150-200 pako për ushqimet e shportës për familjet në nevojë”, u shpreh prifti i kishës, Spiro Kostoli.

Prej më shumë se një muaji, pranë kishës ortodokse organizohen çdo ditë mesha dhe shërbesa fetare, të cilat ndiqen nga një numër i konsiderueshëm besimtarësh.

Të shumtë ishin ata që ndoqën paraditen e sotme shërbesën e orëve të mëdha të Krishlindjes dhe liturgjisë hyjnore, duke drejtuar lutjet e tyre drejt zotit në qiell për më shumë mbarësi dhe shëndet në familjet e tyre.