DURRËS, 5 gusht 2014 – Dhënie ndihme mjekësore dhe psikologjike për të sëmurët me kancer në pjesën e mbetur të jetës, këtë do të ofrojë dhe spitali publik i qytetit bregdetar, nëpërmjet ngritjes së një klinike të posaçme.
Spitali Rajonal Durrës, do të ofrojë së shpejti kujdesin paliativ, përmes një klinike ambulatore në mjediset e tij, njoftuan burime zyrtare.
Hapja e kësaj klinike është bashkëpunim me shoqatën Ryder.
Përfaqësues të Ryder Tirana dhe kreu i drejtorisë rajonale të shëndetësisë Durrës, njëkohësisht president i Shoqatës Shqiptare së Kujdesit Paliativ Kristo Huta vizituan më 4 gusht 2014 mjediset e klinikës në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Në takimin (në foton kryesore, djathtas) me përfaqësues të të dyja palëve, u diskutua mbi prioritetet e punës për ofrimin e këtij shërbimi.
Klinika në do t’u ofrojë të gjithë këtyre të sëmurëve shërbim ambulator, për të qenë një mbështetje në betejën me sëmundjen që merr çdo vit mijëra jetë njerëzish në Shqipëri.
Info
Kujdesi paliativ është dhënia e ndihmës mjekësore dhe psikologjike, për të sëmurët me kancer, në pjesën e mbetur të jetës.
Për shkak të sëmundjes së rëndë këta pacientë kanë vështirësi jo vetëm në përballimin e dhimbjeve, por edhe në pranimin e faktit që sëmundja është vdekjeprurëse.
Shoqata Ryder Albania (SHRA) është një organizatë jo-fitimprurëse, e cila e ka filluar aktivitetin e saj në nëntor të vitit 1993 si një shërbim falas i asistencës në shtëpi (mjekësore, psikologjike dhe social ekonomike) për të sëmurë me kancer në fazë terminale dhe të moshuar me sëmundje kronike, me mbështetjen e Sue Ryder Care në Britaninë e Madhe.
Shoqata Ryder Albania në bashkëpunim me aktorët e tjerë të kujdesit paliativ në vitin 2000 kanë krijuar Shoqatën Shqiptare të Kujdesit Paliativ.
Në vitin 1996 është hapur dega e Ryder Albania në qytetin e Durrësit
Ryder Albania zyra e Durrësit, shërbimi në shtëpi: Manilë Selimi, mjeke; Kristo Huta, drejtues i ekipit mjekësor; Ad Dedja, Enejdë Elezi, Oertë Xifaj, infermierë; Julindë Toda, punonjëse sociale dhe Lutfi Lami, kryeinfermier (në montazhin poshtë).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





