DURRËS, 25 nëntor 2013 – Një nga pasojat e kushteve të vështira meteorologjike për portin e Durrësit, është pamundësia për përpunimin e anijeve, kështu fillimjava i gjeti kalatat me “mullar” anijesh të bllokuara qysh nga 20 nëntori 2013. Sipas një raporti ditor të 25 nëntorit 2013 (shih faksimilen e tabelës së hartuar nga Autoriteti Portual Durrës sha), brenda në port presin për t’u shkarkuar 6 anije dhe në radë janë edhe trri të tjera, ndërsa më 26 nëntor, nëse do të lejojë moti, priten të mbërrijnë edhe 3 anije.
Për t’u shkarkuar
Anija me flamur e Rusisë “Volzhskiy 10” (viti i ndërtimit 1984) është bregëzuar qysh më 20 nëntor 2013 ora 16:30 në kalatën nr. 1 dhe pret të shkarkojë një mall delikat, sikurse është gruri, gjithsej 3 300 tonë rinfuso. Kurse më 22 nëntor 2013 janë bregëzuar në kalatën 5/A anijet “Safiye Ana” (flamur i Turqisë, viti prodhimi 2004) me 3 257 tonë ure (pleh kimik rinfuso) dhe anija “Sea Star” (flamuri Sierra Leone, viti i prodhimit 1978) në kalatën 2 me 3 251 tonë lidhje melanine. Kurse në terminalin e kontejnerëve, kalata 6, janë anija “MSC Ada” (flamur i Liberisë, viti i prodhimit 1993), bregëzuar më 24 nëntor 2013 ora 9:40 paradite me 350 njësi kontejnerësh dhe “Medazov Rosa” (flamur i St Vincent Grenadines, viti i prodhimit 1996), bregëzuar më 25 nëntor 2013, ora 1:50 minuta pas mesit të natës, me 137 njësi kontejnerësh. Kurse anija “Koravi” (flamur i Shqipërisë, viti i ndërtimit 1985) e bregëzuar më 25 nëntor 2013, ora 9:55 paradite, në kalatën “gjermane” 11, pret të shkarkojë 1 675 tonë lidhje hekuri ndërtimi.
Në radë
Në radë janë tre anije që presin, qysh më 24 nëntor janë dy: “Leda” me 5 400 tonë grurë rinfuso që është planifikuar në kalatën 2 dhe “Vega Aquila” me 417 njësi kontejnerësh planifikuar në terminalin e kontejnerëve, kalata 6; kurse anija “Nordic”, mbërritur në radë më 25 nëntor 2013, me 488 tonë makineri për agjencinë “Dyrrahsped”, është planifikuar të përpunohet në kalatën 5/B. Është kureshtar fakti që anija “Nordic” (në foton poshtë), me flamur të Holandës e me tonazh prej 3 mijë tonësh, është ndërtuar në vitin 2013.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





