“Këtu po na hedhin hi syve. Erdhën mbrëmë i pamë kolonat në ujë, sot janë hedhur inerte që të mbulohen, mos të shihet që poshtë është lagështirë”.

Të shqetësuar sepse forcimi i kolonave të pallatit të tyre po bëhet, ndërsa ato janë të zhytura në ujë, banorët e pallatit nr.903 në lagjen nr.7 të Durrësit kanë zhvilluar sot një protestë.

Megjithëse fillimisht godina 5 katëshe e ndërtuar në vitin 1982 u deklarua me dëme DS2, tashmë ajo po riforcohet sepse sipas akt-ekspertizës së Institutit të Ndërtimit, ka dëmtime DS4.

Por banorët duan siguri për jetën e tyre, sepse përfaqësuesve të 45 familjeve që banonin aty, punimet nuk po realizohen ashtu siç duhet.

E ndërsa një pjesë e banorëve ka marrë grantin e rikostruksionit në vlerën 250 mijë lekë të reja dhe kanë bërë riparimet e apartamenteve, ata deklarojnë se përfaqësuesit e firmës u kanë thënë se do të kryejnë punime brenda shtëpive të tyre, por shpenzimet do t’i paguajnë qytetarët sepse fondi i riforcimit nuk i mbulon ato.

Riforcimi i pallatit nr. 903 po realizohet nga kompania “Valona konstruksion” në vlerën 77.3 milionë lekë dhe pritet të përfundojë brenda 5 muajve.

M.B.