DURRËS, 23 dhjetor 2014 –  Të martën, më 23 dhjetor 2014, në Komandën e Forcës Detare (FD) në Plepa të Durrësit, u zhvillua analiza vjetore 2014. Në këtë ballafaqim të detarëve për këtë vit morën pjesë Komandanti Gjeneralbrigade Qemal Shkurti, drejtues të shtabit të FD-së dhe reparteve, përfaqësuesi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura etj, njofton zyra e shtypit e FD-së.

Fillimisht Komandanti i FD-së, Gjeneralbrigade Qemal Shkurti vlerësoi punën e kryer nga efektivat dhe personeli për realizimin e detyrave dhe objektivave të shtruar për këtë vit, operacionet e rëndësishme të kryera për zbatimin e ligjshmërisë detare si dhe stërvitjet kryesore brenda forcës, me forcat e tjera, institucionet shtetërore si dhe ato me partnerët e NATO-s. Kuptohet që realizimi i këtyre detyrave ka pasur dhe vështirësitë e veta, të cilat janë kapërcyer me guxim, maturi dhe profesionalizëm nga kuadrot dhe detarët tanë përgjatë këtij viti, nënvizoi gjenerali.

Shefi i shtabit të FD, kapiten i rangut II Adnand Agastra tha se vëmendja kryesore e punës është fokusuar në përmbushjen e objektivave dhe detyrimeve për integrimin, arritja e standardeve të NATO-s në spektrin e fushës së detarisë si dhe në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive operacionale me qëllim zhvillimin e një force profesioniste detare, ndjekjen dhe zbatimin e planit të modernizimit të sistemeve, mjeteve dhe pajisjeve, përdorimin me kapacitet të plotë të Sistemit të Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD) dhe Sistemit të Komandim-Kontrollit në përmbushjen e detyrave të FD-së.

U vlerësua pjesëmarrja dinjitoze në stërvitjet rajonale “Adrion Livex-14”, “Joint Reaction-14” etj. Gjatë këtij viti kalendarik mund të veçohet puna e bërë nga efektivat e anijeve për zbatimin e detyrimeve operacionale si dhe përkushtimin në zgjidhjen e detyrave, efektivat e SIVHD për sigurimin e gatishmërisë teknike të sistemit, etj.

Më pas drejtues të ndryshëm në shtab dhe reparte diskutuan për realizimin e detyrave në sektorët dhe repartet e tyre, si në operacionet apo stërvitjet e zhvilluara, problemet e mirëmbajtjes së anijeve, furnizimin me pajisje dhe logjistikë, përmirësimi i infrastrukturës në reparte, realizimin e buxhetit në sektorët përkatës, etj. Mbas analizës u zhvillua mbrëmja festive kushtuar 89-vjetorit të krijimit të Forcës Detare dhe festave të fundvitit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/