DURRES – Ekipi kombëtar është grumbulluar dhe po përgatitet për ndeshjen miqësore ndaj Gjeorgjisë. Pasditen e sotme kuqezinjtë e drejtuar nga tekniku Xhani de Biasi kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore në kuadër të këtij takimi. Në seancën e parë skuadra “kuq e zi” thuajse ishte e plotë, me përjashtim të tre lojtarëve, mbrojtësit korçar Arapi, si dhe Lilës e Vilës, të cilët kishin angazhime me skuadrat e tyre. Stërvitja ka nisur si gjithmonë, ku fillimisht skuadra drejtohet për të kryer nxehmjen, nga përgatitësi atletik i skuadrës, ndërsa më pas kontrollin e mori vetë shefi i pankinës së kombëtares së Shqipërisë.
Fillimisht de Biasi ka praktikuar disa skema, por nuk kanë munguar edhe disa minuta lojë. Cana, Curri dhe Roshi, e lanë më herët se pjesa tjetër e grupit për arsye që ende nuk dihen, ndërsa burime nga stafi “kuqezi” qetësuan duke pohuar se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Pasi vuri në zbatim për disa minuta me radhë skema të ndryshme si mbrojtëse ashtu dhe sulmuese, tekniku i ekipit kombëtar i provoi lojtarët edhe në disa minuta lojë.
Italiani e ndau në dy skuadrën me 18 lojtarë, ku në njërën anë u aktivizuan portieri Berisha, Agolli, Dushku, Hysaj, Vajushi, Bakaj, Bogdani, Lika, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga: portieri Ujkani, Osmani, Bulku, Muzaka, Bala, Sadiku dhe Vucaj. Për de Biasin seanca e parë ka qenë thjesht formalitet dhe me qëllim verifikimin e formës së çdo futbollisti që bën pjesë në listën e tij, pasi dora e fundit e përgatitjeve për ndeshjen me Gjeorgjinë, ku dhe italiani do të vendosi për formacionin, do të zhvillohet pasditen e sotme.
Megjithatë, duke qenë thjesht një ndeshje miqësore, pritet që italiani t’i aktivizojë pothuajse të gjithë lojtarët që ka grumbulluar. Këtë radhë skuadrës do t’i mungojë një nga shtyllat e mbrojtjes Armend Dallku, por edhe mbrojtësi tjetër Kristi Vangjeli, madje ky i fundit mungon në radhët e skuadrës prej një kohe shumë të gjatë si pasojë e një dëmtimi.
Seanca e parë e kombëtares ka zgjatur rreth 80 minuta. Dy nga lojtarët që veshin për herë të parë fanellën e kambëtares, Hysaj dhe Dushku kanë qenë në vëmendje për gjatë gjithë kohës nga tekniku de Biasi. Lojtarët bënë pjesë në skuadrën e titullarëve, gjatë kohës që De Biasi zhvilloi disa minuta lojë. Gjithsesi, duket e vështirë që dy lojtarët të jenë titullar ndaj Gjeorgjisë, por megjithatë italiani ka ndërmënd t’u japë një mundësi duke i aktivizuar për disa minuta.