DURRËS, 5 shkurt 2015 –  Kompania italiane Grandi Navi Veloci (GNV) ka shfaqur interesim për tregun e transportit të udhëtarëve dhe mallrave me tragete në portin e Durrësit. Dy përfaqësues të kësaj kompanie zhvilluan në mesditën e së enjtes, më 5 shkurt 2015, një takim me drejtuesit e Autoritetit Portual të Durrësit.

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv Selim Belortaja, pasi u njoh me interesat e kompanisë GNV, tha:

“Porti i Durrësit është port shumëpërdorimësh. Terminali i udhëtarëve ka kushte shumë komode dhe mirëpret mesatarisht 800 mijë udhëtarë në vit. Porti i Durrësit ka interes për linja të tjera lundrim,i përveç atyre ekzistuese, duke vlerësuar rëndësinë që ka rritja e konkurrencës për përmirësimin e shërbimit dhe uljen e tarifës së biletave”.

Drejtori operativ i GNV, Antonio Pedevilla u shpreh: 

“Kompania është në fazën e dytë të studimit të tregut të transportit me tragete në Shqipëri. Në portin e Durrësit më bëri përshtypje shumë pozitive koha e shkurtër dhe cilësia e shërbimit gjatë kalimit në pikën e kalimit kufitar si dhe në procedurat e zhdoganimit. Kompania ka 10 tragete dhe 1100 punonjës, që operojnë në portet e Sardenjës, Sicilisë, Spanjës, Marokut, Tunizisë dhe Francës. Anijet tona kanë një gjatësi nga 168-172 metra dhe një thellësi zhytjeje deri në 6.7 metra”. 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi g. k./