DURRËS, 6 qershor 2015 – Të premten në mbrëmje, më 5 qershor 2015, në sallën e teatrit të qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu” të bashkisë së Durrësit, dhanë koncert rreth 70 artistë të korit “Klassika” të Fondit ndërkombëtar të unitetit të popujve ortodoksë, me dirigjente Nina Korolyova dhe korit të muzikës së dhomës të Konservatorit të Moskës, me dirigjent Aleksandër Solovyov.
Nëse nga ana e pushtetit vendor të Durrësit ishte shpërfillur ky koncert i lajmëruar prej ditësh (ndonëse qytetari nr. 1 ende në detyrë, Vangjush Dako, është ortodoks, i cili, për protokoll, kishte dërguar drejtorin e arsim-kulturë-sport-rini-komuniteteve fetare në bashki Ardian Gurra), e kundërta ndodhi me palën ruse.
Me koret kishte ardhur zëvendëskryetari i parë i Komitetit të Dumës së Shtetit (dhoma e ulët e parlamentit rus) për çështjet e bashkimeve të shoqatave dhe organizatave fetare Mikhail Markelov; presidenti i Fondit ndërkombëtar të unitetit të popujve ortodoksë profesor Valeriy Aleksyejev, të shoqëruar nga ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri, Aleksandër Karpushin, të cilët përshëndetën të pranishmit. Madje, agjencia e lajmeve RIA Novosti i kishte kushtuar një korrespodencë të gjatë me autore Olga Lipich, që u mor nga medie të shumta on-line të Rusisë.
Koncerti me muzikë ruse spirituale, klasike, popullore dhe këngë ushtarake të viteve të luftës, kishte në program vepra të kompozitorëve të njohur Lvov, Çajkovski, Çesnokov, Tanyeyev, Shçedrin, Pakhmutova etj. Ky koncert jepet në kuadrin e programit të Fondit ndërkombëtar të unitetit të popujve ortodoksë “Zëra të Rusisë ortodokse” në Shqipëri me bekimin e Patrikut të Moskës dhe gjithë Rusisë Kiril dhe Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Janullatos. Ky i fundit bëri ftesën. Programin e përshëndetën kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit rus (Duma) Sergei Naryshkin, ministri i Kulturës i Rusisë Vladimir Medinskiy dhe personalitete të tjera të larta.
Paraditen e së premtes, më 5 qershor 2015, koret ruse bënë një vizitë në kishën ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, Durrës, ku dhe psalën. Për nder të artistëve ishte shtruar një bufe.
Të dielën, më 7 qershor 2015, koret do të japin një koncert në Tiranë, në qendrën kulturore të katedrales ortodokse “Ngjallja e Krishtit”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/