• Këngëtari napolitan Mario Maglione dhe këngëtarja durrsake Luljeta Strefi, shfaqje-homazh në përkujtim të kantautorit dhe kitaristit të njohur napolitan Pino Daniele (19 mars 1955 – 4 janar 2015), i cili ka kultivuar nja gamë të gjerë gjinish, si pop, blues, jazz, si dhe muzikë italiane dhe të Lindjes së Mesme
DURRËS, 28 shkurt 2015 – Të premten, më 27 shkurt 2015, në teatrin “Aleksandër Moisiu” u dha koncerti i përbashkët italian-shqiptar “Rikthimi”, në përkujtim të kantautorit dhe kitaristit të njohur napolitan Pino (emri i lindjes: Giuseppe) Daniele (19 mars 1955-4 janar 2015), i cili ka kultivuar nja gamë të gjerë gjinish, si pop, blues, jazz, si dhe muzikë italiane dhe të Lindjes së Mesme.
Këngëtari napolitan Mario Maglione dhe këngëtarja durrsake Luljeta Strefi kënduan së bashku “Napule e’”, këngën himn të Pino Danieles. Shfaqja u organizua nga shoqata italiane-shqiptare “New umor sound” në bashkëpunim me orkestrën e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” me dirigjent Orges Mema dhe grupin e baletit të koreografit Arjan Plaku.
Mario Maglione u duartrokit gjatë nga të pranishmit për zërin melodioz dhe teknikën e lartë të të kënduarit. Ai solli një buqetë me këngë nga qyteti i tij i lindjes. Këngëtarja Luljeta Strefi u paraqit më së miri me një potpuri këngësh shqiptare e më pas këndoi edhe dy këngë të njohura nga repertori italian i muzikës së lehtë. Balerinët e rinj të drejtuar nga koreografi Arjan Plaku sollën në skenë një grup vallesh nga treva të ndryshme të vendit tonë.
Gjatë spektaklit që u drejtua nga artisti italian Giuseppe Palumbo, u lexua edhe letra, me të cilën kryetari i bashkisë së Napolit, Luigi de Magistris, u uron organizatorëve “suksese për këtë manifestim – homazh për artin, kulturën dhe traditën e qytetit të Napolit”. Koncerti u ndoq edhe nga drejtues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të ambasadës së Italisë në Tiranë.
Fotot: Mirësjellje e Tristan Sherifit.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi g. k./





