Për rreth një orë, zërat melodiozë të 30 të rinjve të qytetit të Durrësit kumbuan në sallën e QKF-së mbrëmjen e së hënës duke sjellë për publikun e pranishëm disa nga hitet më ikonike ndërkombëtare të muzikës rok.

Nën drejtimin e udhëheqëses artistike Olta Juba, kori i të rinjve të qytetit bregdetar solli për artdashësit koncertin “Këngët e rinisë”, ku energjia dhe mesazhet pozitive që këto hite mbarëbotërore përcjellin dominonin në skenë.

Me këngë të interpretuara nga Queen, Tina Turner, Scorpions, Michael Jackson etj, solistët dhe kori i të rinjve krijuar në sallë një atmosferë elektrizuese, ku duartrokitjet e publikut nuk mund të mungonin.

Një mbrëmje dedikuar talentit, kreativitetit dhe zërit të rinisë, pikërisht në ditën Kombëtare të Rinisë.

Ky nuk është koncerti i parë i korit të talentuar të të rinjve, por nuk do të jetë as i fundit.

Në data të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, kori me disa nga emrat më të mirë në fushën e talenteve të reja në gjininë e këngës, ka sjellë në skenë për publikun durrsak repertor të përzgjedhur dhe gjallërinë rinore që i karakterizon këta këngëtarë të ardhshëm.

M.B.