*Qeveria në ikje shkel ligjin dhe afatin e vendosur prej asaj vet
* Kryeministri Berisha: investim me vlerë rreth 21.9 milionë euro, me kapacitet 1.2 deri në 1,5 milion udhëtarë në vit, 200 mijë vetura, rreth 60 mijë kamionë
TIRANË, 2 gusht 2013 – Sërish procedura aspak transparente, por dhe në shkelje të afateve të vendosura prej vetë Qeverisë për terminalet e portit detar Durrës.
Kontradiktat
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit (MPPT), më 29 korrik 2013 (me 40 ditë vonesë!) njofton se është pranuar oferta që ka bërë më 20 qershor 2013 (me një javë pas afatit) “Albanian Ferry Terminal Operator” me seli në Durrës “Për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit, mirëmbajtjes të Terminalit të Trageteve në Portin e Durrësit”. Më 13 maj 2013, MPPT-ja, në emër të Kryeministrit Sali Berisha, ka bërë të ditur se asnjë ofertë e paraqitur pas 13 qershorit 2013 nuk do të pranohej. Në buletinin e 29 korrikut 2013 të Agjencisë së Prokurimit Publik është botuar njoftimi i Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, që lajmëronte subjektin AFTO (Albanian Ferry Terminal Operator), bashkimi i kompanisë [gjermane] FRS Chartering Beteiligunsgesellschaft MBH dhe një tjetre [ndoshta shqiptare] Global Albania Networking, me seli në Durrës, se oferta e paraqitur më datë 20.6.2013 për dhënien me koncesion të “Menaxhimit, Operimit, Mirëmbajtjes dhe përmirësimit teknik të Terminalit të Trageteve në Portin e Durrësit”, për Net Present Values të projektit prej 3.141.909,00 euro është pranuar.
As në nivelin e një komune dosido
Çfarë bie në sy. Së pari, Kryeministri Sali Berisha, që e ka përuruar, së bashku me ministrin Sokol Olldashi, një vit më parë, më 11 korrik 2012, nuk arsyeton pse ka shkelur afatin e pranimit të ofertës. Në buletinin e 13 maj 2013 të Agjencisë së Prokurimit Publik, MPPT-ja bën të ditur se “Ofertuesit e interesuar mund të njihen me dokumentet standarde të procedurës konkurruese në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik, prej datës 13 maj 2013. Ofertat do të ngarkohen në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik jo më vonë se data 13 qershor 2013, ora14 00. Asnjë ofertë e paraqitur pas këtij afati nuk do të pranohet”. Kurse më 29 korrik, si pa gjë të keq, thotë se “oferta e paraqitur më datë 20.6.2013… është pranuar”. Së dyti, në njoftimin e 29 korrikut mungon informacioni standard ligjor për zhvillimin e konkurrimit: numri i pjesëmarrësve, adresa, ofertat, arsyet e kualifikimit dhe mos-kualifikimit (që këtë e bën, e detyruar me ligj, edhe komuna më e largët dhe e vogël e Shqipërisë). Kurse Qeveria nuk e sheh të domosdoshme zbatimin e ligjit, transparencën.
“Dyrrah”-u po boton të plota dy njoftimet e bëra dhe internautët le të nxjerrin përfundime. Ja tekstet (shihni dhe faksimilet), titujt janë të “Dyrrah”-ut:
13 maj 2013: Ofertat nuk pranohen pas 13 qershorit 2013
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit e Republikës së Shqipërisë fton investitorë të interesuar vendas dhe/ose të huaj të marrin pjesë në procedurat konkurruese përzgjedhëse “Për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit, mirëmbajtjes të Terminalit të Trageteve në Portin e Durrësit”.
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit (MPPT) e Republikës së Shqipërisë ka vendosur t’i transferojë sektorit privat, menaxhimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Terminalit të Trageteve dhe Kroçereve në Portin e Durrësit nën një marrëveshje koncesionare përmes një procedure konkurruese. Ministria fton të gjitha kompanitë kompetente, të afta dhe me eksperiencë, që të marrin pjesë në këtë konkurrim.
Lëvizja drejt dhënies me koncesion të këtij fasiliteti të rëndësishëm në Portin me të madh të Shqipërisë ndjek një numër objektivash, ndër të cilët veçojmë ligjin nr. 9130 datë 08.09.2003 “Për Autoritetin Portual”, i cili kërkon nga Qeveria transformimin e Portit të Durrësit në një Port Landlord duke transferuar shërbimet e Portit, sektorit privat. Me dhënien me koncesion të Terminalit të Trageteve, Qeveria është në vazhdim të përmbushjes së kërkesave ligjore.
Qeveria Shqiptare është e mendimit se sektori privat është në një pozicion shumë më të mirë të menaxhojë, të operojë dhe mirëmbajë Terminalin e Trageteve për përfitimin e përdoruesve të Portit dhe të ekonomisë shqiptare në tërësi. Për këtë qëllim Qeveria Shqiptare është duke kërkuar përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në Port, rritjen e produktivitetit dhe ofrimin e çmimeve të arsyeshme
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit shpreson qe procesi i konkurrimit do të shërbejë si pikë e mëtejshme referimi në zhvillimin e Portit të Durrësit, të këtij aseti strategjik, duke marrë në konsiderate të plotë nevojat e vendit. Për këtë arsye MPPT përgatiti këtë “ftesë për ofertë”.
Ofertuesit e interesuar mund të njihen me dokumentet standarde të procedurës konkurruese në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik, prej datës 13 maj 2013.
Ofertat do të ngarkohen në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik jo më vonë se data 13 qershor 2013, ora14 00.
Asnjë ofertë e paraqitur pas këtij afati nuk do të pranohet. (Buletini 13 maj 2013 Agjencia e Prokurimit Publik)
29 korrik 2013: Rroftë oferta e paraqitur më 20 qershor 2013
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit lajmëron subjektin “Albanian Ferry Terminal Operator” me seli në lagja 13, Rruga”Nail Kondi”, Durrës, se oferta e paraqitur më datë 20.6.2013 për dhënien me koncesion të “Menaxhimit, Operimit, Mirëmbajtjes dhe përmirësimit teknik të Terminalit të Trageteve në Portin e Durrësit”, për Net Present Values të projektit prej 3.141.909,00 euro është pranuar.
FRS Chartering Beteiligunsgesellschaft MBH dhe Global Albania Networking, bashkuar në subjektin Albanian Ferry Terminal Operator (AFTO) duhet t’i paraqesë Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dokumentet e mëposhtme:
1. Kopjen e vënies në dijeni për Formularin e Kushteve të Përgjithshme dhe të Veçanta të Kontratës Koncesionare, të nënshkruar
2 Sigurimin e Kontratës sipas formës së kërkuar në ANEKS VII – 5: Formulari i Sigurimit të Kontratës të Dokumenteve Standarde të Procedurës Konkurruese. Sigurimi duhet të paraqitet jo me vonë se në momentin e nënshkrimit të Kontratës nga të dy palët.
3. Dokument bankar që vërteton pagesën e kryer për shpenzimet e publikimit. Kjo pagesë do të kryhet para fillimit të negociatave
4. Në rast se tërhiqeni nga lidhja e kontratës duhet të njoftoni me shkrim. (Buletini 29 korrik 2013 Agjencia e Prokurimit Publik).
Info
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë më 11 korrik 2012, në mbrëmje, në përurimin e Terminalit të ri të udhëtarëve në portin e Durrësit. Sipas Kryeministrit, terminali, investim me vlerë rreth 21.9 milionë euro, u bashkëngjitet investimeve të shumta të realizuara në Portin e Durrësit që prej vitit 2006, duke bërë që ato të kalojnë vlerën e 60 milionë eurove. Terminali është projektuar për t’u shërbyer 1.2 deri në 1,5 milion udhëtarëve në vit, 200 mijë veturave dhe rreth 60 mijë kamionëve. Ai ka 65 mijë m katrorë sheshe, 25 mijë m katrorë ndërtime, 4500 m katrorë godina të udhëtarëve, 10 poste të kontrollit të njëkohshëm për pasagjerët këmbësorë, 36 poste për kontroll të njëhershëm për udhëtarët me vetura, 12 poste për kontrolle të njëhershëm për kamionët.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





