Shitja e apartamenteve dy apo tre herë nga ana e firmës ndërtuese tek qytetarë të ndryshëm ka shkaktuar konfliktin e paralajmëruar pak kohë më parë në media.
Një pallat shumëkatësh, i ndërtuar në lagjen nr.5 në Durrës, prej gati 4 vitesh është kthyer në mollë sherri, mes banorëve që kanë blerë apartamentet, pati njoftuar kohë më parë DurrësLajm.
Por meqë një apartament është shitur disa herë, për të figurojnë disa pronarë dhe kjo ka bërë që të nxiten konfliktet mes tyre.
Një i tillë është regjistruar një ditë më parë.
“Shtetasi K.K, vjeç 41, banues në Durrës, me vetëgjyqësi, është futur në mënyrë të paligjshme, në banesën e shtetasit N.GJ, vjeç 56, banues në Durrës”, njofton policia e Durrësit.
Policia ka nisur procedimin penal për shtetasin K.K., por kjo nuk do t’i zgjidhë problemet, mes personave të mashtruar nga firma ndërtuese.
Seancat gjyqësore që kanë nisur banorët e mashtruar kanë përfunduar dhe gjykata ka vendosur që ndërtuesi t’i kthejë paratë e paguara, por vendimi i gjyqësorit nuk është zbatuar ende.
Dhe banorëve u mbetet të vijojnë të konfliktohen njëri me tjetrin…





