Durrës, 5 shtator 2014  –  Një adoleshent 16 vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë në në lagjen nr.14 të Durrësit.

Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 14:00 të së premtes, në afërsi të unazës së Plazhit, dhe sipas informacioneve të para policore, plagosja ka ndodhur pas një sherri mes dy adoleshentëve, që ishin konfliktuar me njëri tjetrin edhe në të kaluarën.

Mësohet se ndaj 16 vjeçarit B.I., banues në Durrës, është qëlluar me automatik. Ai është dërguar me urgjencë në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, autori i krimit është 17 vjeçari E.G., banor i plazhit. Sipas policisë, autori i krimit është person me precedentë penalë, pasi është ndaluar edhe më parë për dy plagosje të tjera të kryera prej tij, në vitin 2012 dhe 2013.

Madje rezulton, se në plagosjen e vitit 2013, i dëmtuar ka mbetur 16 vjeçari i qëlluar ditën e sotme. Në ngjarjen e një viti më parë, ka mbetur i plagosur edhe pronari i një qendre interneti në zonën e plazhit, ku u konfliktuan dy adoleshentët  

Forcat e policisë janë në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e para hetimore. Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorit që është larguar me shpejtësi nga vendi i krimit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/