Durrës, 25 mars 2014 – Konfliktohen nën efektin e alkoolit në një lokal nate dhe më pas tentojnë të tregojnë forcën. Një konflik banal, mes 4 personave të përfshirë në të, shkaktoi panik mëngjesin e një dite më parë në lagjen nr.6 të qytetit, pranë shkollës “Vasil Ziu”. Protagonistë të sherrit që u mbyll me të shtëna automatiku në ajër dhe arrestimin e 3 personave kanë qenë pronari dhe dy badigardët e një lokali në Shkëmbin e Kavajës dhe një roje sigurie e një lokali muzike live në zonën e Shkozetit.

Pala e dëmtuar në këtë rast, shtetasi T.F., 40 vjeç, banues në Durrës punonte prej kohësh në një lokal muzike live në Shkozet. Në orët e para të mëngjesit së datës 24 mars, në lokal kanë shkuar Tauland Hasa, 23 vjeç; Selim Çelçima, 29 vjeç dhe Ismail Troplini, 32 vjeç. Pasi kanë konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli, tre të arrestuarit kanë nisur një konflikt verbal me rojen e sigurisë së lokalit të natës.

Mësohet nga burime policore, se 40 vjeçari ka tentuar t’u shmanget 3 të rinjve, për të evituar përshkallëzimin e grindjes. Largimi i tij për në shtëpi duket se i ka acaruar edhe më tej tre të rinjtë, të cilët ishin të vendosur të tregonin “forcën” me 40 vjeçarin. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se ata e kanë marrë në telefon rojen e sigurisë dhe pasi kanë mësuar se ku banonte kanë shkuar për t’u sqaruar edhe njëherë ballë përballë me shtetasin T.H.

Para se të shkrepnin dy breshëri automatiku në ajër, në mes të një zone të banuar, ata kanë pasur sërish një konflikt verbal me rojen e sigurisë. Duke parë se tre të rinjtë ishin tërësisht nën efektin e alkoolit, 40 vjeçari është munduar të largohet. Por në këto momente, krahas debatit verbal të nisur mes të katër personave, tre të rinjtë e kanë shtyrë disa herë 40 vjeçarin dhe më pas njëri prej tyre ka marrë automatikun dhe ka shkrepur në ajër dy breshëri. Pas të shtënave, tre të rinjtë duket se kanë nisur të “qartësohen” disi dhe kanë tentuar të largohen nga vendngjarja me automjetin e tyre, por mbërritja në kohë e policisë ka bërë të mundur ndalimin e njërit prej tyre, pikërisht 23 vjeçarit Taulant Hasa. Në vendngjarje policia ka gjetur të hedhur në rrugë, armën e zjarrit, tip automatik model 56.

Pas marrjes në pyetje të 23 vjeçarit Hasa nga fshati Qerret i Kavajës, policia ka zbuluar identitetin edhe të dy personave të tjerë që ishin me të në momentin e të shtënave. Fillimisht të katër shtetasit e përfshirë në këtë konflikt janë shoqëruar në komisariat dhe pas zbardhjes së rrethaneve dhe motiveve të kësaj ngjarjeje që përhapi panik mes banorëve të lagjes, u janë vënë prangat tre të rinjve, protagonistë të sherrit.  

Mbi shtetasit Tauland Hasa dhe Selim Çelçima rëndon akuza për veprat penale ”Mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe ”Kanosje” parashikuar nga nenet 278/4 e 84 të Kodit Penal, ndërsa 32 vjeçari Ismail Troplini akuzohet për veprën penale ”Moskallëzim krimi” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

/m.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/