·       Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të aplikimit më 4 shtator 2015, faza e parë e përzgjedhjes dhe intervista më 7 shtator 2015

31 gusht 2015 –  Drejtoria Arsimore Rajonale Durrës njofton se rishpall vendin e lirë për pozicionin e drejtuesit të institucionit arsimor publik në këtë shkollë: Shkolla e mesme sportive “Benardina Qeraxhia”.

KËRKESA TË VEÇANTA PËR KANDIDATËT

Kandidati për drejtor i institucionit publik të arsimit parauniversitar duhet: a) të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 9741, date 21. 5. 2007 "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar; b) të ketë të paktën kategorinë "mësues i kualifikuar"; c) të mos ketë masa disiplinore në fuqi ndaj tij.

DOKUMENTACIONI I APLIKIMIT

a) Kërkesë me shkrim në lidhje me institucionin publik arsimor në të cilin kandidati kërkon të aplikojë. b) CV-në dhe kopjet që dëshmojnë pohimet në CV (sipas modelit të përcaktuar në shtojcën nr. 1, bashkëlidhur këtij udhëzimi). c) tabelën e plotësuar me të dhënat për aplikant. ç) Dëshminë e penalitetit të lëshuar jo më herët se tre muaj para datës së aplikimit; d) Dy rekomandime nga mësues, drejtorë të institucioneve arsimore, ose titullarë të  njësive arsimore vendore që kanë punuar me aplikantin gjatë viteve të fundit.

Dorëzimi i dokumentacionit të aplikimit do të bëhet pranë sekretarisë së Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës çdo ditë, nga hëna në të premte, nga ora 13:00-15:00. Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të aplikimit do të jetë data 4 shtator 2015.

Drejtori aktual i institucionit arsimor publik përkatës, do të vërë në dispozicion të secilit aplikant një kopje të dokumenteve të mëposhtme, të nevojshme për zhvillimin e konkurrimit, i cili do të tërhiqet para datës së konkurrimit: a) Plani afatmesëm i shkollës. b) Plani vjetor i shkollës i vitit pararendës, c) Raporti vjetor i shkollës i vitit pararendës.

Faza e parë e konkurrimit, vlerësimi i dosjeve dhe intervista do të zhvillohet më 7 shtator 2015, ora 15:00 në prani të komisionit të vlerësimit, pranë institucionit arsimor publik përkatës.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/