Lirohet dhe i pandehuri i tretë Irfan Ahmeti, i arrestuar tri ditë më parë në portin e Durrësit, i akuzuar për kontrabandë cigaresh.
Irfan Ameti, 46 vjeç, lindur në Maqedoni dhe banues në Tiranë u lirua pasi pagoi garancinë pasurore kundrejt shumës së 10 mijë eurove.
46-vjeçari ra në pranga në kuadër të operacionit “Eklips” së bashku me motrën e tij Gjuljen Samin, 52 vjeçe, lindur në Turqi dhe banuese në Maqedoni dhe Ilir Dengu, 53 vjeç, banues në Tiranë. Të tre këta persona u arrestuan nga blutë e Durrësit pasi u kapën me rreth 550 000 paketa të markës “Merhaba”, me vlerë në tregun e lirë 154 000 000 lekë të rinj, që dyshohej se ishin kontrabandë, pasi malli nuk kishte dokumentacionin e rregullt dhe destinacion të përcaktuar.
Por gjykata e Durrësit i ka lënë të lirë të tre të akuzuarit, duke i ndryshuar masën e sigurisë në detyrim paraqitjeje 2 herë në muaj.
Ditën e djeshme u liruan direkt nga salla e gjyqit dy të pandehurit, Ilir Dengu dhe Gjuljen Sami, ndërsa seanca për Ahmetin u shty për sot për shkak të mungesës së akt-pagesës të garancisë së pasurisë.