DURRËS, 8 prill 2014 –  Patologët në laboratorin klinik të spitalit të Durrësit në Shqipëri i shërbejnë një popullsie të madhe pa pajisjet përkatëse.

Gjithë kjo gjendje duhet të ndryshojë pas dhurimit të një mikroskopi modern nga kompania amerikane “JH Technologies”, distributor sistemesh imazherike optike dhe digjitale, nëpërmjet Korpusit të Paqes, njofton shtypi amerikan më 8 prill 2014.

Dërgimi i mikroskopit në muajin mars në spitalin shqiptar ishte pjesë e një programi të ri të quajtur iFuSe (Inspire Future Scientific Exploration – Frymëzo kërkimet e ardhshme shkencore).

Susan Oupadia, doktore e shkencave mjekësore dhe vullnetare e sektorit të shëndetësisë në Korpusin amerikan të Paqes, kujton:

“E kush mund të merrte me mend se në nëntor do të gjenim një njeri të mrekullueshëm në internet, i gatshëm të rrezikonte për projektin tonë? Z. John Hubacz, nga JH Technologies në Fremont, Kaliforni ishte aq bujar sa të ndërtonte dhe t’i dhuronte një mikroskop me 3 “koka” Korpusit të Paqes në Shqipëri”.

Znj. Oupadia vazhdon:

“Një nga kolegët e mi shqiptarë kur pa instrumentin, tha ‘kjo është diçka që mund të shohin vetëm në ëndërr’”.

Vendet në zhvillim kanë burime të kufizuara financiare për blerje instrumentesh që nevojiten për diagnostikim dhe parandalim sëmundjesh.

Në spitalin e Durrësit, mungesa e një mikroskopi mësimor (duhet pasur parasysh se spitali rajonal i Durrësit ka dhe klinikë universitare) frenon përgatitjen e patologëve të rinj klinicistë, duke ngadalësuar kështu procesin e diagnostikimit dhe duke çuar në mundësinë e dhënies së diagnozave të gabuara.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “JH Technologies”, John Hubacz, thotë:

Sigurimi i këtij instrumenti do të ndihmojë në përgatitjen e këtyre patologëve të rinj që duhen për të mbështetur një nevojë në rritje të kujdesit shëndetësor në Shqipëri”.

Z. Hubacz vëren:

“Korpusi i Paqes është një institucion i madh me histori të gjatë me ndihmat që u jep njerëzve në të gjithë botën. Ne e shohim këtë si mundësi për të mbështetur zhvillimin e mjekësisë në vendet që vuajnë nga një infrastrukturë e dobët mjekësor dhe t’i ndihmojmë  në parandalimin e sëmundjeve”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/